Grupi “Tifozat Kuq e Zi”: S’kemi pse kapërcejmë Kosovën për t’i dhënë ndihmë Serbisë
Grupi i tifozëve të Kombëtares Shqiptare në futboll ‘Tifozat Kuq e Zi’ ka reaguar pas lajmit se Federata e Futbollit të Shqipërisë së bashku me atë të Serbisë kanë aplikuar në shtëpinë e futbollit evropian, UEFA për organizimin e kampionatit europian U-21 për vitin 2027.
Për shkak të këtij bashkëpunimi në mes dy Federatave, grupi i tifozëve të Kombëtares kanë kërkuar që FShF të tregojë se a i ka kërkuar ta organizojë Kampionatin Europian U-21 Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi. Me këtë rast ata kanë përmendur edhe Kosovën.
“Kështu që mirë do të ishte FSHF të tregojë nëse paraprakisht ka kërkuar të organizojë U21 Euro 2027 së bashku me Maqedoninë e Veriut, apo me Malin e Zi? Për sa kohë nuk përmbushim kërkesat teknike të mos shesim fytyrën dhe interesat etnike. Fqinjë kemi boll, skemi pse kapërcejmë Kosovën për t’i dhënë ndihmë Serbisë” – kanë reaguar ‘Tifozat Kuq e Zi’ më 09.05.2024.
‘Tifozat Kuq e Zi’ pretendojnë se lajmet për organizimin e Kampionatit Evropian të U-21, për vitin 2027 nga Serbia kanë qarkulluar që në fillim të marsit 2024. “Në këto lajme, njoftohet se Serbia aplikon e vetme për të organizuar këtë Evropian. Në të njëjtat raportime të lajmit shkruhet se Serbisë ‘mund t’i kërkohet nga UEFA që ta organizojë kampionatin së bashku me Shqipërinë’” – thuhet në reagimin e tifozave Kuq e Zi, në Facebook, më 09.05.2024.
Tifozët e Kombëtares teksa kanë përmendur se në disa raste Serbia është dënuar nga UEFA për tifozët e saj, ata kanë kujtuar ndeshjen mes Shqipërisë e Serbisë të luajtur më 14.10.2014, në Beograd.
Më 14.10.2014, në Beograd, në minutën e 42-të të ndeshjes, u ndërpre loja pasi tifozët serb vazhdimisht po hidhnin flakadanë në fushën e lojës. Por momenti më kryesor i ndeshjes ishte kur një dron, që barte një flamur të me hartën e Shqipërisë së Bashkuar, me mbishkrimin ‘’Autochthonous’’, fluturonte mbi qiellin e Beogradit dhe ra në fushën e lojës.
Pas kësaj, u krijuar rrëmuja që bëri që ndeshja të ndërpritet dhe disa tifozë serb u futën në fushën e blertë duke sulmuar futbollistët e kombëtares shqiptare. Ndeshja u ndërpre përfundimisht, ndërsa kombëtarja e Shqipërisë e fitoi ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0.
“Serbia, përveç krimeve dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve është dënuar në disa raste nga UEFA për tifozët e saj racistë e të dhunshëm deri në vrasje. Sa për marrëdhëniet e drejtpërdrejta sportive të Shqipërisë me Serbinë pamjet, thirrjet, kriminale për therjen dhe vrasjen e shqiptarëve, goditjet ndaj lojtarëve tanë në 14 tetor 2014, dhe terrori ndaj delegacionit nuk besojmë se janë harruar” – kanë thënë ‘Tifozat Kuq e Zi’.
Ata pretendojnë se përhapja e parullave kundër shqiptarëve nga tifozët serbë në ndeshje vazhdon edhe aty ku nuk janë të përfshira skuadrat shqiptare.
“Njëlloj vazhdon përhapja e parullave të ngjashme nga tifozët serbë në ndeshje ku nuk janë aspak të perfshirë skuadrat shqiptare. Për asnjë nga këto nuk është kërkuar falje, përkundrazi kanë luftuar edhe “sportivisht” kundër nesh deri në shkallët më të larta gjyqësore sportive” – kanë shtuar ‘Tifozat Kuq e Zi’.
Edhe presidenti i FShF-së, Armando Duka në një prononcim për autorin e emisionit ‘Opinion’, Blendi Fevziu, ka deklaruar se Shqipëria është vend kandidat për organizimin e Kampionatit Evropian për grupmoshën U-21.
“Ne jemi vend kandidat për organizimin e Kampionatit Evropian në 21-vjeçar duke qenë që ne nuk mund të plotësojmë kushtet që të kemi një Kampionat Evropian vetëm në Shqipëri, duhen tetë stadiume minimalisht, kemi bashkuar me Serbinë për të organizuar Kampionatin Evropian në Shqipëri dhe në Serbi” – ka deklaruar Duka.
Duka ka përmendur se organizimit të këtij Kampionati i duhet angazhim i madh jo vetëm në mes Federatave të futbollit të dy vendeve, po ashtu edhe në mes Qeverive përkatëse.
Sa i përket bashkëpunimit me Federatën Serbe të Futbollit, Duka vlerëson se është një lajm i mirë për popujt e dy vendeve.
“Duhet të krijojmë disa komunikme, disa lehtësira dhe të bëjmë të mundur këtë. E para është që ta fitojmë këtë garë dhe e dyta pastaj ta organizojmë. Unë mendoj se ky është një lajm i mirë për popullin shqiptar, për popullin serb në fund të fundit ne organizojmë dhe nëpërmjet sportit, pse jo të kemi një jetë edhe më të mirë” – ka thënë Duka.
Nga FShF vlerësojnë se ky është pa asnjë dyshim një projekt shumë ambicioz, që do ta vendoste Shqipërinë në qendër të vëmendjes futbollistike të gjithë kontinentit.
Federata Shqiptare e Futbollit organizoi finalen e parë të UEFA Conference League në Tiranë në vitin 2022 dhe ka fituar të drejtën për të organizuar finalet e Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17.