23-04-2024

Hallakamë në arsimin e Prizrenit, drejtori i shfmu në Arbanë e bën “përrallë” drejtoreshën e Arsimit, Vezhgishi

Drejtori i shkollës fillore “Ibrahim Fehmiu” në Arbanë, Haki Gajraku ia ka dërguar një letër të hapur drejtoreshës për Arsim në Prizren, Xhemile Thaçi-Vezgishi lidhur me shqetësimet, për fillimin e vitit shkollor 2020-2021, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Gajraku,  që është ndër drejtorët më me përvojë në menaxhim e tashmë në prag të pensionimit, herë-herë përmes sarkazmës ia ka kujtuar Vezgishit, ushtruesit e detyrës së drejtorëve, (kohët e fundit aq të shumë përfolur për shkak të emërimit të tyre pa konkurs e kritere ) ndërsa ka ngritur edhe dilemën nëse drejtoresha e DKA-së e ka vënë në lajthitje edhe kryetarin Haskuka.

Letra e plotë e tij pa ndërhyrje:

“E nderuar drejtoreshë, Në radhë të parë uroj të jesh mirë me shëndet me të gjithë njerëzit e tu dhe kolegët e punës. Unë pas 17 ditësh izolim, për shkak të infektimit me Covid 19, i jam kthyer jetës dhe punës normale me kapacitet të plotë.

Madje edhe i sëmurë me bashkëpunëtorët e mi, në mënyrën ma korrekte jemi munduar ti kryejmë obligimet ndaj shkollës ku punojmë dhe obligimet që kemi ndaj jush si drejtori për arsim. Unë minimalisht kam pritur që Ju, bile formalisht të interesohesh për shëndetin tim.Nejse, kjo është çështje e juaj, që nuk çon peshë më.

Fatmirësisht unë jam shumë mirë me shëndet dhe tërësisht jam i përkushtuar për kryerjen e detyrave dhe obligimeve për fillimin e vitit shkollor 2020-2021, duke u bazuar në Udhëzuesin e përgjithshëm të MASH-it, për organizimin e mësimit në vitin shkollor 2020-2021 në kushtet e pandemisë Covid 19.

Unë besoj që edhe ju jeni e përkushtuar për këtë çështje, për fillimn e mbarë të vitit shkollor 2020-2021, të “ mbarë “ nëse mundet të quhet i tillë. Për të ecur mbarë, hapi i parë që është dashur të ndodh menjëherë pas publikimit të Udhëzuesit nga ana MASH-it është dashur të shpërndahet në adresat elektronike të drejtorive të shkollave të Prizrenit, me një koment a shpjegim, ose të organizohet edhe një takim fizik a virtual me drejtorët e shkollave për ta analizuar dhe për të nxjerr obligimet që dalin nga ky Udhëzues për të gjithë akterët. E nderuar drejtoreshë edhe sot e kësaj dite Udhëzuesi i MASH-it, për organizimin e mësimit në kohë pandemie, në shkollën ku unë jam drejtor, nuk ka arritur nga institucioni ku udhëheqni Ju. Pse ? Unë nuk e di . Udhëzuesin e kam siguruar përmes webfaqes së MASH-it.

Sot në adresën e shkollës ka arritur një njoftim nga Ju, për organizimin e mësimit në komunën tonë, sipas Udhëzimit të MASH-it, për mua pak i çuditshëm, pa protokoll, pa referencë juridike, pa llogo të komunës dhe me përmbajtje për mua të “ dyshimtë “ Pse ?

Në njoftim thuhet : “pas konsultimeve me drejtorët e shkollave “ DKA në Prizren është përcaktuar për mësimin me planin B, në Udhëzues nuk ka plan B, ka skenar B ), kam një pyetje drejtoreshë ? Kur dhe ku janë mbajtur këto kosultime ? Unë nuk kam qenë i ftuar në këtë konsultim ! Edhe unë jam drejtor i shkollës e nderuar drejtoreshë ? Apo për të marrë pjesë në këto konsultime ma mire është të jesh ushtrues detyre i drejtorit. Unë asnjë drejtor nuk e kam autorizuar të flas në emër tim.

Me siguri e keni vënë në lajthitje edhe kryetarin dhe jo vetëm kryetarin, kur keni thënë se jeni konsultuar me drejtorët e shkollave. Meqë paskeni vendosur “pas konsultimeve me drejtorë të shkollave” të organizohet mësimi sipas planit B, atëherë si organizohet mësimi për fëmijët parashkollor të moshës 5 vjeçare, që për këtë kategori të nxënësve në Udhëzuesin e MASH-it nuk ka skenar B, por vetëm A dhe C.

E nderuar drejtoreshë çfarë të bëj me fëmijët e kësaj kategorie ditën e martë, më datë : 01.09.2020, këta fëmijë mësimin e fillojnë në ora 08.30 para dite, ndërsa ju më keni caktuar termin për këtë çështje, po ditën e martë, në ora 10.30, pra me cilin plan të punojnë këta fëmijë ?

E nderuar drejtoreshë çka t’ju them nxënësve të klasës II3, të cilët nuk kanë mësuese, sepse mësuesja e kësaj klase, para tri jave, ka shkuar të punojë në një shkollë tjetër. E nderuar drejtoreshë çfarë t’u them nxënësve për mësimdhënësen e historisë, e cila për shkak të sëmundjes ( tri here në javë shkon në dializë ) nuk mund të mbajë mësim ? E nderuar drejtoreshë çfarë t’u them nxënësve që edhe sivjet, sikur vitin e kaluar, po fillon viti i ri shkollor e prap nuk kanë mësimdhënës të lëndës Edukatë muzikore dhe Edukatë fizike me sporte.

Çfarë t’u them prindërve të fëmijëve me kushte të rënda sociale, që nuk kanë mundësi të përcjellin mësimin në distancë ? Për të gjitha këto që i ceka më lartë kam dashur të takohem sot, me me Ju, e nderuar. Nuk patët kohë, është hera e dytë, faleminderit, uroj të kesh kryer ndonjë punë më të vlefshme dhe më të dobishme,se sa këto shqetësimet të mia për institucionin ku punoj. Këtë formë të komunikimit kurrë nuk e kam dashur ! Shëndet e suksese paç gjithmonë Zoti i ruajtë fëmijët e Kosovës!”.

Lexo edhe:

Profesori Haskuka e bëri “lëmsh” arsimin në Prizren

 

Asnjë koment

Comments are closed.