20-04-2024

Profesori Haskuka e bëri “lëmsh” arsimin në Prizren

Pas luftës, Prizrenin e kanë udhëhequr katër kryetarë komune, Kadri Kryeziu, Eqrem Kryeziu, Ramadan Muja dhe tash Mytaher Haskuka. Karakteristikë e përbashkët e tyre është se ata kanë gradën doktor shkence dhe që të gjithë kanë punuar edhe si mësimdhënës, ndonëse në profile të ndryshme mësimore.

Ndonëse ishin me përvojë në arsim, kjo fushë që natyrisht se është ndër më të ndjeshmet vazhdimisht pati probleme, duke përjetuar politizime, nepotizëm dhe shkelje ligji. Por për dallim nga vitet e mëparshme kur buxheti për arsimin ishte i cekët dhe kur mungonin edhe rregulloret, së fundit, gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë sadopak kjo është tejkaluar. Përkundër kësaj, në vend të përmirësimit, gjendja u përkeqësua. Kjo padyshim se është reflektuar në votë ndaj partive.

Ardhjen si kryetar komune të doktorit të psikologjisë, profesorit e deputetit, Mytaher Haskuka nga Vetëvendosje!, qytetarët e Prizrenit e kanë pritur me interesim, si një alternativë për ndryshimin e premtuar të diskursit nga qeverisja paraprake e PDK-së.

Ata u besuan premtimeve të tij, por faktet nga puna e deritashme tregojnë ndryshe, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Veprimi i fundit i Haskukës për ndërprerjen e marrëdhënies së punës në pozitat udhëheqëse të disa drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave në mënyrë selektive e pa konkurs, duke emëruar në vend të tyre si ushtrues detyre mësimdhënës as pa trajnimin për menaxhim, është rast precedent në Prizren.

Kjo dëshmon oreksin e tij për të emëruar “argat të dëgjueshëm” në drejtimin e shkollave pavarësisht respektimit të ligjit, pasi siç është thënë disa të emëruarve u mungon edhe kualifikimi i duhur (master).

Pakënaqësinë ndaj një veprimi të tillë, dhe sidomos tash kur jemi në prag të fillimit të vitit shkollor, në një takim në Prizren u raportua se Haskukës ia kishte shprehur edhe Ministri i Arsimit, Ramë Likaj.

Opozita ndërkaq e akuzoi kryetarin prizrenas, se nuk ka vepruar njësoj për të gjithë drejtorët, por sipas preferencave politike. Sipas saj, në vend që t’i ftonte drejtorët për konsulta rreth fillimit të vitit të ri shkollor dhe t’i falënderonte për angazhimin gjatë pandemisë, ai me anë të zarfeve dërguar përmes korrierëve të komunës, i ka njoftuar ata për ndërprerjen e detyrës. Pra, a duhet ta lejonte një profesor universitar, një gjë të tillë?

Arsimi, do të jetë ai që do ta bëjë Haskukën të mbahet mend për qeverisjen e tij, pasi deri tash janë ndërruar tre drejtorë të këtij sektori, të cilin aktualisht e mban një drejtoreshë, jo vetëm që s’ka punuar kurrë në këtë fushë, por drejtorët e shkollave dhe opozita e kritikuan për paaftësi duke pranuar servimin e vendimeve nga njerëz servil e madje të dënuar nga gjykata, të cilët në zyrat e Arsimit, shkojnë pas orarit zyrtar të punës.

Haskukës, që premtonte qeverisje ligjore, nga gjykata iu dënua për mosshpallje të konkursit, pikërisht drejtori i parë i Arsimit, Skënder Susuri, të cilin përkundër që asambleistët, përfshirë edhe ata të partisë së tij, e paralajmëronin për padi në gjykatë, Haskuka e lëvdonte atë.

Ai do të mbahet mend edhe për përballje me sfidën për rekrutim jo vetëm të mësuesve,  por edhe menaxherëve të shkollave, prandaj shumica e tyre janë me ushtrues detyre. Në Shkollën e Mjekësisë për dy vjet janë emëruar katër sosh.  Ai largoi edhe zëvendësdrejtorët, por postet e tyre kanë mbetur bosh pa emërime të reja. Disa shkolla s’kanë as sekretarë pasi kanë shkuar në pension, por nuk janë zëvendësuar.

Gjatë qeverisjes së Haskukës, mbahet mend anulimi i konkursit për drejtorë  dhe përsëritja e tij.  Shumica e konkurseve për mësues janë në procese gjyqësore dhe të pezulluara.

“Penallti” për opozitën në Prizren

Pas largimit të partive të koalicionit, prej një viti, nuk është zgjedhur as edhe një drejtor shkolle.

Haskuka deklarohej i përkushtuar edhe për barazi gjinore, por me vendimin e fundit për drejtorët, lejoi që të largohen pesë femra udhëheqëse nga shkollat, ndërsa shtrohet pyetje sidomos në ciklin e ulët, kush më mirë se një femër do ta udhëhiqte shkollën, kur mësimdhënëse janë kryesisht femrat? Veç kësaj disa herë është thënë se femrat janë edhe shumë më pak të korruptuara.

Njoftohet se disa nga ushtruesit e emëruar nuk janë paraqitur për ta marrë detyrën, ashtu siç ishte paraparë nga DKA, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Pra, vendimi i fundit i kryetarit për drejtorët ka shkaktuar huti dhe pakënaqësi nëpër kolektivet e shkollave, aq më tepër kur kjo “mjegull” ndodh në prag të fillimit të vitit shkollor, i cili nuk dihet si do të fillojë për shkak të pandemisë.

S’do mend se tashmë në Prizren zhgënjimi qytetar është shumë i dukshëm. Disa madje thanë  “Mos Zot të vjen puna deri aty, sa të kërkohet ish-qeverisja, të cilën VV pothuajse e kritikonte 24 orë”. / GazetaePrizrenit.net /

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.