Hapet ekspozitë për plagjiaturën në Universitetin e Prishtinës – 10 raste u zbuluan nga 2018-ta
Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), të hënën ka hapur ekspozitën “Lufta e ORCA-s kundër plagjiaturave”, raporton Ekonomia Online.
Kjo ekspozitë do të jetë e hapur deri të premtën, ndërsa të interesuarit mund të njoftohen për rastet e plagjiaturave në Universitetin e Prishtinës.
Dibran Hoxha nga kjo organizatë, tha për Ekonomia Online se që nga denoncimi i parë i plagjiaturave të profesorëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në vitin 2018, ORCA nuk është ndalur së luftuari kundër plagjiaturës në Universitetin e Prishtinës.
“Sot kemi hapur ekspozitën e plagjiaturave të profesorëve të Universitetit të Prishtinës, që ORCA nga viti 2018 monitoron proceset akademike. Disa prej rasteve skandaloze që ne i kemi ekspozuar e që do të mbesin deri të premtën, janë rastet e prpfesotëve të fakultetit të Inxhinerisë Mekanike, pra të tetë profesorëve që i kanë punuar deri në 18 punime brenda vitit dhe kanë nga njëri-tjetri, dhe rasti i profesorëve Ardian Kastrati dhe Bujar Dugolli, që është marrë vendim që me i shpallë të dytë plagjiatorë, dhe së fundmi rasti i anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së, Selim Bezeraj”, tha Hoxha.
“Rastet që i kemi zbuluar ne dhe që kanë ardh si denoncime, janë rastet e profesorëve të Inxhinierisë Mekanike që janë tetë profesorë dhe rasti i Bujar Dugollit dhe Ardian Kastratit, dhe i fundit rasti i Selim Bezeraj”, tha tutje Hoxha./EO