26-04-2024

Haradinaj flet për vendimin e Kushtetueses, i bindur se qeveria e re do të votohet së shpejti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj i cili po synon të jetë pjesë e një qeverie të udhëhequr nga LDK, është shprehur i bindur se në Kuvendin e Kosovës së shpejti do të ndodhë votimi i qeverisë së re.

Ish-kryeministri i Kosovës beson se Gjykata Kushtetuese do të tregojë që dekreti i presidentit për mandatarin ka bazë kushtetuese.

 

“Është e logjikshme që do të ketë një vendim që do të vlerësojë se është me bazë kushtetuese dekreti për mandatarin e ri dhe votimi në Parlament i Qeverisë së re do të ndodhë… Dihet se cili do të jetë vendimi. Vërtet jam paragjykues, e di që vendimi do t’i japë bazë, se është me bazë kushtetuese dekreti për mandatarin e ri, jo për shkak se e ka dhënë Hashim Thaçi ose për hatër të Avdullah Hotit, ose LDK-së e Aleancës, është baza kushtetuese, me atë bazë është zgjedhur edhe Kurti kryeministër, dikur unë”, tha ai.

 

Haradinaj ka përmendur edhe përgatitjet për protesta që janë bërë ditët e fundit, për diçka që ka thënë se është anomali.

“I pashë duke bërë përgatitje për protestë. Çfarë anomalie, me të njëjtat rregulla, me të njëjtën Kushtetutë ka ardhur në pushtet, ende është në pushtet e po bëhet gati për protesta kur ta humbë pushtetin”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se qeverinë e re e presin shume sfida dhe se e njëjta duhet të fokusohet në temat reale dhe të arrijë te secili qytetar.

Asnjë koment

Comments are closed.