24-04-2024

Haradinaj: Kampi gjerman do të jetë një “Bondsteel” për Prizrenin

Kryeministri Haradinaj e ka vlerësuar kampin ushtarak  gjerman të KFOR-it, një lloj sikur kampin amerikan  “Bondsteel”, sa i përket zhvillimit ekonomik të Prizrenit, për shkak së aty parashihet të hapen vende pune, derisa ka ftuar të gjithë, që të kontribuojnë për konkretizimin e kësaj nisme, në një storie të suksesit për Kosovën dhe rajonin, raporton “Gazeta e Prizrenit”.

 

Kryeministri ka thënë kështu, gjatë një takimi që pati me drejtues të subjektit të tij, në Prizren. Burime brenda degës së AAK-së, bënë të ditur se duke folur për vendosshmërinë  rreth  zhvillimit ekonomik të vendit, Haradinaj ka përmendur edhe mundësinë e mirë, që tashmë  është krijuar në Prizren e rrethinë.
Hapësira në të cilën ka qenë Kampi fushor i gjermanëve, ka një sipërfaqe prej 42 hektarësh, në një pozitë strategjike, në hyrje për në Prizren, nga drejtimi i Suharekës.

 

“Shndërrimi në një zonë ekonomike i kampit, do të jetë një rast shumë i mirë për zhvillimin ekonomik, meqenëse sikur në kampin ‘Bondsteel” që ka një numër të të punësuarve edhe këtu pritet të veprohet njësoj”, citohet të ketë thënë Haradinaj, raporton “Gazeta e Prizrenit”.

 

Në këtë kontekst priten investime kosovaro-gjermane. Nga një marrëveshje e nënshkruar me Qeverinë gjermane për investime, pritet edhe punësimi i mbi 1 mijë personave.

Kampi ka hapësirë të përshtatshme. Janë 23 ndërtesa me 550 dhoma dhe me kapacitet për banim për rreth 1.200 persona. Pas studimit të fizibilitetit, bërë nga GIZ-i gjerman, doli se aty ofrohen parakushte të mira për zhvillimin e biznesit.

 

Kjo hapësirë ka të rregulluar të gjithë infrastrukturën. Aty ndodhet edhe spitali modern, kuzhina, fushat e futbollit, të tenisit, etj. Në këtë vend do të përqendrohen institucione shkollore dhe edukative, të cilat do të përgatisin kuadro të reja, të gatshme për tregun e punës. Hapjen e një qendre të trajnimit e ka paralajmëruar edhe shkolla ALG “Loyola- Gymnasium”.

 

Kampi ka edhe një rezervuar  për furnizim me ujë, që për nevojat e tij mund të zgjas deri në 6 muaj.

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.