Prizren: Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarit për kanosjen e prokurorit, Besim Susuri, ndërsa mbrojtja lirimin

Prokurori Ismet Tofaj, gjatë fjalës së tij përfundimtare, në rastin ndaj të akuzuarit Eshref Qafleshi, i cili akuzohet për kanosje ndaj prokurorit Besim Susuri, ka kërkuar që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Prokurori Tofaj, ka thënë se me administrimin e provave material dhe dëgjimin e dëshmitarëve, me padyshim është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale të kanosjes ndaj të dëmtuarit Besim Susuri, i cili ka qenë duke e kryer detyrën e tij zyrtare.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Adem Jetishi, në fjalën e tij përfundimtare, të paraqitur me shkrim, deklaron se për të ekzistuar vepra penale e kanosjes, duhet të ekzistojë rreziku real, serioz dhe i mundshëm, duke shtuar se klienti i tij nuk ka pasur për qëllim ta kërcënojë të dëmtuarin me fjalët që ka përdorur.

Sipas avokatit Jetishi, shprehja që ka përdorur i akuzuari “ki me pa se kush është Eshref Qafleshi” nuk tregon rrezik për të dëmtuarin sepse nuk tregon se çfarë e keqe mund t’i ndodh atij nga i akuzuari, andaj ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga akuza sepse në veprimet e tij nuk formohen elementet e veprës penale me të cilën ngarkohet.

Gjyqtarja e rastit, Ilirjana Hoti, ka shpallur të përfunduar procedurën penale në këtë çështje, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 2 maj 2018, në ora 15:00.

Ndryshe, Eshref Qafleshi, akuzohet se më 8 qershor 2016, pas mbajtjes së një shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën Themelore në Dragash, ku ishte palë e dëmtuar, seriozisht e kanosë prokurorin Besim Susuri, ku fillimisht përdorë fjalë fyese ndaj prokurorit e më pas edhe e kanosë me fjalët “ki me pa se kush është Eshref Qafleshi”, me të cilat veprime tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Me këtë, dyshohet të ketë kryer veprën penale të “kanosjes” nga neni 185 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe mund të dënohet nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim./betimiperdrejtesi/