Haskuka e vlerëson ambasadorin O’Connell dashamir të madh të Prizrenit
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, e ka vlerësuar ambasadorin e Britanisë së Madhe, Ruairí O’Connell, jo vetëm një njohës të shkëlqyeshëm të gjuhës shqipe, por edhe një dashamir të madh të Prizrenit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Ai e ka vlerësuar si një kënaqësi të veçantë, takimin me diplomatin anglez, pasi sipas tij, në vazhdimësi O’Connell avokon për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit tonë.
“Sot me ambasadorin biseduam për rrjedhën e projektit të renovimit të rrugës “Marin Barleti” dhe depolitizimin e ndërmarrjeve lokale, administratës së komunës dhe të arsimit. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do t’i ofrojë asistencë Komunës në përzgjedhjen e stafit profesional, në mënyrë që në të ardhmen të krijojmë një administratë të depolitizuar”, ka shkruar Haskuka, në profilin e tij të “facebookut”.