24-11-2024

Haskuka kundër vendimit për vrasjen e ariut të murrmë në Prizren

Vendimi i Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, për mbytjen e ariut të murrmë në Prizren, ka ngjallur reagime të institucioneve të cilat merren me mbrojtjen e kafshëve dhe të natyrës.

Zyrtarë të këtyre institucioneve kanë kundërshtuar një vendim të tillë duke paralajmëruar edhe padi pasi që sipas tyre kafsha është e mbrojtur me ligj.

E, vendimin për vrasjen e Ariut të Murrmë nuk e përkrah as Komuna e Prizrenit.

Kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka, ka thënë për Koha.net se një vendim i tillë është marrë nga Drejtorati Qendror i Inspeksionit për Pylltari dhe Gjueti (DQIPGJ) dhe jo nga Komuna e Prizrenit, raporton Koha.net.

Ai thotë se kërkesë e Komunës ka qenë që kafsha të vendoset në gjumë e pastaj të dërgohet në Qendrën për Mbrojtjen e Arinjve në Prishtinë, dhe jo të mbytet.

“Neve na ka ardhë vendimi prej Agjencisë së Pyjeve që e ka shpallë kafshë të rrezikshme për publikun dhe ka kërkuar që të vritet kafsha, por nuk është vendim i Komunës, është vendim i Agjencisë së Pyjeve. Ne kemi menduar të bëjmë një ankesë që nëse paraqet rrezik, me sedativ ta vëmë në gjumë edhe pastaj ta dërgojmë në Qendrën për Mbrojtjen e Arinjve që është në Prishtinë. Ky ka qenë vendimi i Komunës dhe nuk kemi ndërmarrë ndonjë veprim”, ka thënë ai.

Haskuka tutje ka shtuar se nuk kanë mundësi ta parandalojnë vrasjen e ariut pasi që sipas tij në atë pjesë kanë vetëm një roje dhe nuk është në kompetencën e tyre.

“Ariu është në mal, ne kemi vetëm një roje në atë pjesë dhe nuk kemi kurrfarë mundësie me ndërmarrë diçka”, ka shtuar ai.

Ndërkaq shefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit, Ilir Morina, ka kundërshtuar vendimin për vrasjen e ariut duke thënë se kafsha është nën mbrojtje ligjore.

Në një postim në Facebook, ai ka paralajmëruar padi për secilin institucion i cili do të ndërmarrë vendim për vrasjen e ariut.

“Ariu është kafshë nën mbrojtje me ligjin e natyrës, dhe nuk guxon të vritet me vendim bazuar në Ligjin e Gjuetisë. Do padisim çdo institucion i cili vret një kafshe të mbrojtur me ligj”, ka thënë ai.

Lidhur me vendimin për vrasjen e ariut të murrmë, ka reaguar edhe zëdhënësi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Leutrim Sahiti.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ariu është i mbrojtur me ligj dhe në asnjë mënyrë nuk guxon të vritet.

“Ariu është i mbrojtur me ligj dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejohet të vritet. Pa dilema ariu nuk do të mbytet” ka shkruar Sahiti.

Ndërkaq Qendra e Arinjve në Prishtinë, vendimin për mbytjen e ariut të murrmë e ka quajtur shokues.

Ata përmes një reagimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook, kanë shkruar se kanë ftuar në Kosovë një ekspert nga Kroacia për menaxhimin e rasteve të tilla dhe se për këtë ishin të njoftuara të gjitha institucionet e involvuara.

“Ky vendim është shokues, që në ditët e para kur ne jemi kontaktuar nga shumë persona për këtë rast, në bazë të mundësive tona jemi munduar të japim kontributin tonë. Mirëpo institucionet përgjegjëse për raste të tilla kanë përgjegjësi ligjore në menaxhimin e këtyre rasteve, dhe ne vetëm mund të japim kontributin profesional”.

“Me bashkëpunëtorët tanë dhe me mbulimin e shpenzimeve nga ne, kemi ftuar një ekspert nga Kroacia për menaxhimin e rasteve të tilla, sipas planit ai pritet të jetë në Kosovë javën e ardhshme dhe të gjitha institucionet e përfshira në këtë rast kanë qenë të njoftuara”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Në vendimin e siguruar nga Koha.net, thuhet se ariu shpallet kafshë përkohësisht dëmtuese duke u lejuar vrasja e tij.

“Ariu i Murrmë, individi i cili ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë dëme në ekonomi bujqësore, blegtorale, deri në shkallën e vlerësimit të rrezikimit edhe të jetës së njerëzve në fshatin Pouskë, Komuna e Prizrenit, SHPALLET kafshë përkohësisht dëmtuese duke u lejuar vrasja e saj/tij”, thuhet në vendimin e Drejtoratit Qendror të Inspeksionit për Pylltari dhe Gjueti (DQIPGJ).

Ky Drejtorat, përmes këtij vendimi, ka obliguar Drejtorinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Komunës së Prizrenit që ta vrasë kafshën nëse afrohet në afërsi të vendbanimeve.

“Obligohet Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Komuna e Prizrenit, që të njëjtën të e vrasë përderisa kafsha e egër dëmtuese (agresive) afrohet në afërsi të vendbanimeve. Vrasjen e saj/tij mund ta realizojnë vetëm personat të cilët i plotësojnë kriteret sipas Ligjit Nr. 02/ L-53, UA Nr. 05/2010, Për Mbrojtjen e Pyjeve, Përgjegjësitë dhe Obligimet e Rojës së Pyllit, dhe UA Nr. 09/2019 për Uniforma, Emblemë, Karta Identifikimi dhe Mbajtja e Armëve Zyrtare”, thuhet në vendimin e siguruar nga Koha.net.

Më tej në vendim thuhet se “vrasja duhet të bëhet me armë dhe municion të përshtatshëm konform llojit dhe peshës së kafshës, ndërsa theksohet se vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit nga Drejtori i DQIPGJ dhe do të vlejë deri në momentin e vlerësimit të kalimit të situatës së rrezikut për të cilin është nxjerrë”.

Drejtorati Qendror i Inspeksionit për Pylltari dhe Gjueti (DQIPGJ), në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, thotë se Drejtoria Komunale për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Komuna e Prizrenit, është e obliguar që kafshën e egër – Ariun – ta vrasë vetëm në momentet e konstatimeve që kafsha do të sulmojë fermat apo banorët e fshatrave dhe kjo realizohet duke i obliguar personat e përcaktuar për këtë detyrë që organizimin e gjuajtjes ta bëjnë në perimetër të afërsisë së këtyre vendbanimeve duke e shmangut me çdo kusht ndjekjen e saj në habitatin e përhershëm të saj/tij.

Deri te ky vendim, DQIPGJ thotë të ketë ardhur pas një analize të saktë dhe pas shterjes së të gjitha mundësive tjera nga organe apo institucione kompetente, e sidomos nga Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës – AUV – që kafshën ta imobilizojë për të evituar eliminimin fizik të tij/saj.

“Ky vendim, edhe pse jo human, arsyetohet sipas obligimeve ligjore që ka Inspektorati i Gjuetisë dhe konstatimeve të shkallës së lartë të rrezikshmërisë që përveç dëmeve të shkaktuara në kafshë të imta – dele – të parandalojmë rrezikun potencial të pasojave edhe në njerëz”, thotë institucioni në fjalë.

DQIPGJ thotë se Drejtoria për Bujqësi e Komunës së Prizrenit, organizimin, planifikimin dhe realizimin e vrasjes së ariut duhet ta bëjë në koordinim të ngushtë edhe me organe tjera të sigurisë, siç është Policia e Kosovës, ndërsa thotë se duhet që t’i njoftojë edhe banorët e këtyre fshatrave për rrezikun potencial./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.