Haskuka mban takim koordinues me Policinë për rritjen e sigurisë në shkollat e Prizrenit
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një takim me zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren.
Përmes një postimi në facebook, ai ka shkruar se qellimi ishte ngritja e sigurisë nëpër shkolla të Prizrenit.
Postimi plotë:
Bashkë me drejtoreshën e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi- Vezgishi, udhëheqësit e Policisë në Prizren, Qamil Kroni, Musli Kulolli, dhe drejtorin e Policisë për Komunitet, Vesel Gashi, sot kemi mbajtur një mbledhje me drejtorët e shkollave për të diskutuar rreth ngritjes së sigurisë së shkollave të qytetit tonë.
Në këtë takim ku të gjithë drejtorët e shkollave, i dhanë propozimet e tyre në lidhje këtë çështje, nga Policia e Kosovës na premtuan se numri i patrullave policore në afërsi të shkollave do të rritet më shumë.
DKA-ja, ka projekt për analizën e gjendjes në shkolla ku janë intervistuar më shumë se 2400 nxënës, një numër i konsiderueshëm i prindërve dhe mësimdhënësve. Sipas rezultateve, do të zhvillohen projekte për adresimin e problemeve nëpër shkolla. Ky projekt është duke u implementuar së bashku me pedagogët dhe psikologët e shkollave të Prizrenit.
Policia e Kosovës, DKA-ja dhe të gjithë drejtorët e shkollave, do të rrisin bashkëpunimin në mes vete, për të organizuar sa më shumë trajnime për nxënës në mënyrë që ta parandalojmë dhunën dhe ngacmimet tek të rinjtë.