Haskuka: Në Prizren të raportuara janë 100 raste aktive me COVID-19, por mund të ketë edhe më shumë
Haskuka tha se ky numër është i raportuar, por sipas tij mund të ketë edhe më shumë raste të të infektuarve me këtë virus.
Ai po ashtu tha se edhe në Spitalin Rajonal të Prizrenit janë shtruar pacientë të infektuar, si dhe që dyshohen që mund të jenë të infektuar me virusin COVID-19.
“Dje kemi pas 93 raste, ndërsa mbrëmë kemi pas dhe listën e re ku janë konstatuar edhe shtatë persona me COVID-19. Në total i kemi 100 raste. Po edhe në Prizren edhe kudo numri i rasteve është më i lartë, pasi po testohen vetëm ato raste që janë me simptoma më të rënda. Mendoj që kemi më shumë raste aktive se sa ato që janë diagnostikuar. Në Spitalin Rajonal të Prizrenit po trajtohen raste të dyshuara. 44 raste janë shtrirë në spitalin rajonal të Prizrenit. 18 kanë rezultuar pozitiv, ndërsa 26 raste të tjera ju del sot rezultati. Të gjithë janë me simptoma të COVID-19”, ka thënë Haskuka për RTV Dukagjinin.
Kryetari Haskuka gjithashtu theksoi se Komuna e Prizrenit është duke i zbatuar masat e reja të vendosura nga Qeveria e Kosovës.
“Dje e kemi pas një takim të shtabit emergjent komunal, ku janë edhe Policia e Kosovës, Spitalit Rajonal dhe drejtorit e caktuara. Në komunën tonë ndalohet aktiviteti nga ora 21:00 deri 05:00 të mëngjesit dhe inspektorati me policinë mbrëmë kanë qenë në terren. Gjatë takimit jemi dokorduar që do t’i implementojmë të gjitha masat”, ka thënë ndër të tjera kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.