Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka paralajmëruar hapjen e një parku të vogël për qytetarë me një kënd për fëmijë në skaj, në hapësirat tek selia e Kuvendit Komunal (KK) e njohur si “Shtëpia e Bardhë”, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Ai këtë e ka bërë në profilin e tij të facebookut, në të cilin ka shkruar se pas hapjes së parkingut, në këtë zonë është pastruar edhe një pjesë e gjelbërimit pranë saj.
“Me planin e ri për parkingun nëntokësor në këtë lokacion, përfundimisht do të largohen të gjitha muret rreth Shtëpisë së Bardhë, duke krijuar kështu një shesh të madh e të bukur, të hapur për të gjithë”, ka shkruar Haskuka, sipas të cilit rrethimi me mure i ndërtesave administrative ishte bërë trend pas luftës, me ndërkombëtarët e sapoardhur.
Ai paralajmëroi ndryshimin e këtij trendi, duke thënë se me rrënimin e mureve, administrata bëhet më të qasshme për qytetarët e Prizrenit. “Njëherësh i kthejmë edhe hapësirat e gjelbëruara rreth tyre” shkroi kryetari.
Haskuka dhe partia e tij Vetëvendosje, sa ishin në opozitë kanë përkrahur idenë e shoqërisë civile për heqjen e rrethojave, tek ndërtesa më e pushtetshme në Prizren,KK, ndërsa me ardhjen në pushtet, që në seancat e para, opozita i kërkoi ta realizonte premtimin e dikurshëm./GazetaePrizrenit.net