Haxhi Avdyli, thotë se në LDK ka militantë trushpërlarë më të zi se në krejt partitë tjera

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli ka reaguar ashpër ndaj kritikëve të tij, të cilët i ka quajtur “armata e trushpërlarëve militant në pozita e pa pozita në LDK”, duke thënë se po e akuzojnë atë pa arsye.

Avdyli ka thënë se 6 herë ka votuar pro miratimit të projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, dhe përsëri është sulmuar. Ai ka shprehur dyshime nëse do të duhej ta votonte këtë projektligj ose jo, pasi tha se pa “arrogancën infantile të disa qeveritarëve të ngazëllyer me pushtetin”.

“Ligji për rimëkëmbje ekonomike kaloi në lexim të parë. Unë votova për 6-të herë pro. Edhe pse kam votuar pro ligjit , nënshkrimi pro thirrjes së seancês e cila bëhet me 40 nënshkrime nuk e pata nënshkruar, armata e trushpërlarëve militant në pozita e pa pozita në LDK nisën me akuza që me sharjet e fyrjet e tyre po ia kalojnë krejt militantëve të partive bashkë. Kur ia shtojmë kësaj edhe arrogancën infantile të disa Qeveritarëve të ngazëllyer me pushtetin, edhe ndoshta sdo duhej ta votoja per 6 herë”, ka shkruar Avdyli.

Ai ka thënë se ky projektligj ka mangësi dhe se shpreson që ai të përmirësohet.

“Por përkundër që ky ligj edhe ka mangësi, edhe përkundër injorancës e arrogancës e disave ,unë zgjodha interesin dhe thirrjen e qytetarëve pa ngarkesa politike. Tani mbetet që ky ligj të përmirësohet dhe rimëkëmbjen duhet ta shohim më gjerë sesa 10% i tërheqjes së parave tona të pleqërisë”, ka shkruar Avdyli.