Haxholli reagon pasi Serbia arrestoi një kosovar në Merdarë
Në Serbi është arrestuar një kosovar nën dyshimin për “krime lufte”. Për këtë ka reaguar sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se një person i dyshuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë është arrestuar të shtunën në pikëkalimin kufitar në Merdarë.
Ministria e Punëve të Brendshme i Serbisë ka bërë të ditur se është arrestuar kosovari Tefik Mustafa, “që si pjesëtar i UÇK-së, në deklaratat e dëshmitarëve është përmendur si pjesëmarrës në rrëmbimin e policëve Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviq, më 19 qershor 1999 në rrugën Prishtinë – Gjilan, të cilëve u humbën të gjitha gjurmët”.
Mustafa thuhet se do të dorëzohet te Zyra e Prokurorit për Krime Lufte.
Dyshime për rastin e përmendur nga Serbia ka hedhur sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli.
Ai ka thënë se “nëse marrim për bazë rastin ‘Panda’ dhe skemat terroriste me të cilat kanë operuar shërbimet e sigurisë serbe, është shumë më e mundshme që Goran Marinkoviq, Zhivojin Paviq dhe Predrag Millosheviqi të jenë humbur apo zë jenë gjallë në Serbi, se sa t’u ketë ndodhur diçka në territorin e Republikës së Kosovës”.
“Me gjasë po iu duhet ndonjë temë propagandistike për zgjedhjet e nesërme në Serbi. Poshtërsi!” ka shkruar ai në Facebook.Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-99.