Haziri tregon a do të jetë kandidat për president të Kosovës
Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri ka mohuar zërat se ai vetë do të jetë kandidat për president të Kosovës, nga koalicioni VV-LDK.
Haziri ka thënë se Isa Mustafa do të jetë kandidat për president, ndërsa kushdo që e thotë të kundërtën është vetëm duke parë ëndrra.
“Parimisht jemi pajtuar që nesër me u mbajt zgjedhjet Isa Mustafa është kandidat për president, të tjerët le të shohin ëndrra se nuk do të jenë kandidatë”, tha Haziri për Klan Kosovën.
Haziri tha se se LDK’ja dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë arritur koalicion pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve që, sipas tij, një gjë e tillë ka ndodhur shumë rrallë në Kosovë.
“Më lejoni ta konfirmoj se është prej herëve të rralla që në Kosovë, pas luftës, është arritur marrëveshje politike [LDK-VV] pa ndërmjetësim ndërkombëtar dhe lehtësues as të jashtëm dhe as të brendshëm”, theksoi ai.
Kujtojmë, që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës pas arritjes së marrëveshjes për koalicion qeverisës, thanë se çështja e postit të presidentit mbetet të shihet në vitin 2021.