Helmimi në Malishevë, analizat zbulojnë praninë e disa baktereve në ushqim
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se ka gjetur disa baktere nga analizat që janë bërë në ushqimet që janë përdorur nga të helmuarit në Malishevë.
Në një njoftim për media, AUV-i ka njoftuar se në bazë të hulumtimit epidemiologjik dhe rezultateve mikrobiologjike vlerësohet epidemi kolektive e shkaktuar nga Salmonella Enteritidis. E Cila është izoluar në mostra të ushqimit dhe në mostra humane.
“Në mostra të ushqimit, të strishove të ambientit dhe sipërfaqeve punuese janë izoluar: Salmonella enteritidis, Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile”, ka njoftuar AUV
“Siç vijon: Majonez i prodhimit vetanak (LUSH 2-3133) – Salmonella enteritidis, Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile. Mish doneri termikisht i përpunuar (LUSH 2-3134) – Salmonella enteritidis. Qofte të ngrira (LUSH 2-3135) – Listeria monocytogenes, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile. Pleskavicë e ngrirë (LUSH 2- 3136) – Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, bakteret koliforme dhe mezofile. Dhe Sos me hudër (LUSH 2—3137) – Salmonella enteritidis, Listeria monocytogenes, Staphylococcus aureus, Escherichia coli, Bakteret koliforme dhe mezofile”, thuhet më tej në njoftim.
Sipas të dhënave nga IKSHPK deri me datë 19 tetor 2023, për shkak të përmirësimit të gjendjes shëndetësore shumica e rasteve të hospitalizuara janë liruar në shtëpi, dhe vetëm tetë prej tyre vazhdojnë të jenë të hospitalizuar, por me gjendje stabile shëndetësore. AUV bashkë me mekanizmat e tjerë shtetërorë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e parapara ligjore në kohë. Për ndihmë-shërim të të helmuarve dhe gjetjen e shkaktarit.