26-04-2024

Hetime ndaj testit për sekretarë shkollash të Prizrenit

Mbajtja e testit për sekretarë shkollash të Prizrenit është duke u hetuar. Ndonëse kandidatët prej disa ditës i janë nënshtruar testit, rezultatet ende nuk janë shpallur, ndërkohë që Policia për Krime ekonomike po zhvillon hetime ndaj procesit, raporton “Gazeta e Prizrenit”.

Në kontekstin e hetimeve, burime të besueshme me kusht anonimitetit, bëjnë me dije se anëtarët e komisionit intervistues të aplikantëve në konkurs janë thirrur për deklarime në organet hetuese. Në kontekstin e hetimeve, anëtarëve të panelit u janë konfiskuar edhe telefonat.

I pyetur për këtë çështje, zëdhënësi rajonal i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi, ka thënë për portalin se kjo çështje është në përgjegjësi të Policisë për Krime ekonomike, andaj nuk mund të jep informacione.

Burime të afërta me procesin flasin se hetime po bëhet për shkak të dyshimeve se disa kandidatëve të preferuar, paraprakisht u është dhënë testi, të cilën më pas e kanë kaluar.

Një gjë të tillë, ditë më parë e ka pohuar edhe kuvendarja opozitare e VV-së, Dafina Alishani, përmes një postimi në “facebook”.

Konkursi për sekretarë ishte hapur në muajin maj të këtij viti, ndërsa janë shpallur 9 pozita të lira në nëntë shkolla të komunës së Prizrenit.

Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, në këtë konkurs kanë plotësuar kriteret 121 kandidatë nga 207 sa kishin aplikuar.

Në Prizren, po ashtu janë parashtruar disa ankesa edhe ndaj konkursit për drejtorë shkollash.

Siç është thënë ankesat kanë të bëjnë me paligjshmërinë e panelit intervistues.

Burime nga LVV pohun se kuvendarë të Vetëvendosjes kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Administrative në Prishtinë. “VV do të dorëzojë Kallëzim penal për këtë rast edhe në Prokurorinë Themelore të Prizrenit”, kanë konfirmuar për “Gazetën e Prizrenit”, përfaqësues të këtij subjekti politik, por pa dashur të identifikohen. / GazetaePrizrenit.net /

Asnjë koment

Comments are closed.