26-04-2024

Hipokrizia – “Shfaqja teatrale në skenën e përditshmërisë sonë”

Shkruan: Batjar Halili (psikolog)

Mendimet dhe sjelljet janë një mënyrë për të fshehur situatën e brendshme, prej nga e ka burimin dhe hipokrizia, mungesa e sinqeritetit dhe mungesa e emocioneve të vërteta. Termi hipokrizi rrjedh nga greqishtja e vjetër (hupokrinesthai) e cila është marrë më vonë nga latinët për t’u bërë  (hupokritēs ) që ka kuptimin aktor, dhe e ka origjinën në aktivitetin teatral, ku hipokrit emërtohej personi i cili interpretonte dhe aktronte para një publiku të caktuar rolin që i jepej, pa patur asnjë konotacion negativ.

Për të parë këtë term ju drejtova fjalorit të fjalëve dhe shprehjeve të huaja të Mikel Ndrecës,  ku hipokriza kishte këtë kuptim: “Dyftyrësi, ves i njeriut të keq që hiqet sikuse është i mirë, i virtytshëm e i dashur, me qëllim që të gënjejë të tjerët; që mban qëndrim me dy faqe, dyfaqësi, dyftyrësi”.

Po ashtu, ju drejtova fjalorit të gjuhës shqipe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe gjeta fenomenin hipokrizi bashkë me sqarimin për njeriun hipokrit, ku shpjegohej si më poshtë: “HIPOKRIZI f.Ves i njeriut të keq që hiqet sikur është i mirë, i virtytshëm e i dashur me qëllim që të gënjejë të tjerët; qëndrim me dy faqe, sjellja e njeriut që nuk është i çiltër me të tjerët, që nuk zbulon fytyrën e vërtetë dhe që shtiret, të qenët hipokrit; fjalë, sjellje a diçka tjetër e rreme, që nuk i përgjigjet së vërtetës dhe që synon të mashtrojë të tjerët; kund. çiltëri, sinqeritet. Hipokrizia fetare. Çfarë hipokrizie! E bën për hipokrizi. Sillej me hipokrizi|”.

HIPOKRIT mb.1. Që shtiret sikur është i mirë, i virtytshëm e i dashur, me qëllim që të gënjejë të tjerët; që mban qëndrim me dy faqe, që nuk, është i çiltër, që nuk e zbulon fytyrën e vërtetë; shtiracak, shtinjak; që nuk i shpreh haptas ndjenjat, bindjet ose qëllimet e vërteta, që bëhet për të mbuluar qëndrimin e qëllimin e vërtetë dhe për të mashtruar të tjerët; kund. i çiltër, i sinqertë. Njeri hipokrit.Fjalë hipokrite.Qëndrim hipokrit.Sjellje hipokrite.Buzëqeshje hipokrite. 2. si em.~,~I m. ~Ë, ~ËT. Njeri hipokrit, njeri me dy faqe. Nuk u besoj hipokritëve.

Por duke lexuar pikëpamjet fetare si nga islami ashtu dhe nga krishtërimi edhe ato kanë një qasje shumë rigoroze për hipokritët dhe hipokrizinë:

Pejgamberi (Rasulullah Alejhissalatu Vesselam) ka thënë: “..Në Ditën e Ringjalljes, ju do të shihni se hipokritët përbëjnë disa nga më të këqijtë në sytë e Allahut. Këta janë ata që shkojnë tek disa me një fytyrë, e me një tjetër tek të tjerët”.

Kurse në krishterim, hipokrizia është një mëkat.

Jezusi nënvizon se nga jashtë, këta njerëz duken të shkëlqyer, gjithçka bukur; flet për “varre të zbardhura me gëlqere” nga jashtë, por plot kalbësirë dhe dekompozim nga brenda.  Edhe  kisha, në udhën e saj gjatë historisë, është persektuar nga hipokritët: hipokritë nga brenda e nga jashtë.

Bota e hipokritit është botë e trazuar, nuk mundet që çdo person të hyjë në botën e hipokrizisë, sidomos ata që janë rritur e zhvilluar në jetën e tyre me ndershmëri, që kanë ego ideale dhe super ego të mirëformuar, që kanë moralitet njerëzor. Për të shmangur të keqën dhe një tipar personaliteti siç është të qenit hipokrit, duhet të vendoset një sistem i rregullave të jetesës dhe parimeve të palëkundshme. Nëse vlera është ndërtuar duke u bazuar në sjelljen e individit, një person i tillë do të ketë më shumë kontroll mbi fjalët dhe veprimet e tij, do t’i shmangë gënjeshtrat dhe dobësitë. Një personi me vetëbesim të mjaftueshëm i vjen turp nga pikëpamja e tij / saj ose pikëpamja e botës dhe mënyra se si kjo e fundit e sheh atë.

Psikologjikisht: Çfarë është hipokrizia?

Në thelb, baza e këtij koncepti është fshehja e së vërtetës.Hipokritët janë duke luajtur për publikun për të treguar ndjenjat që nuk ndjejnë vërtet. Sipas këtij shpjegimi, perceptimet rreth situatës ndryshojnë nga ajo që ata përpiqen të tregojnë, domethënë sjellja e një personi të tillë do të jetë në kundërshtim me vlerat dhe mendimet e vërteta të tij.

Sipas standardeve etike, hipokrizia është një natyrë negative, sepse një person vepron në mënyrë të pamoralshme, për shkak të egoizmit të tij, duke e shpjeguar atë në mirëbesim, me motivim shumë të moralshëm dhe me qëllime të mira. Me fjalë të tjera, kuptimi objektiv i veprimeve të tilla dhe kuptimi që i atribuohet hipokrizisë janë shumë të ndryshme.

Ndonjëherë, hipokrizia mund të jetë e përshtatshme – në rastet kur është e nevojshme për të fshehur të vërtetën. Për shembull, është e pamundur të ndalet komunikimi me njerëzit e moshuar në vendin e punës ose me mësuesit në institucionin e arsimit të lartë, edhe nëse ato shpesh janë të pakëndshëm.Në raste të tilla, kërkohet një sasi e caktuar e pasaktësisë për të shmangur konfliktin ose dëbimin nga ai institucion.

Duke luajtur role sociale, individët nuk tradhtojnë parimet e tyre, por duke provuar maskën shoqërore të hipokrizisë, individi fsheh synimet dhe ndjenjat reale. Megjithatë, vjen një moment, qënjë person i tillë vetëzbulohet, i bie maska, nën tëcilën  ka fshehur botëkuptimin, besimet dhe gjykimet e vërteta që dalin prej tij. Sipas veprimeve të tilla dhe hipokrizisë së njerëzve, ka një vetëbesim të ulët bazuar në frikën e mos pranimit dhe frikën e moskuptimit.

Psikoanalisti Sigmund Frojd besonte se njerëzit rreth tij kishin tendencë të ishin hipokritë, sepse shoqëria karakterizohej nga mospërputhja dhe pasiguria.Sipas tij mjedisi kërkon përmbushjen e standardeve të larta pa pyetur nëse një individ mund ta bëjë këtë, dhe sjellja e sinqertë dhe e moralshme nuk është gjithmonë e justifikuar. Me fjalë të tjera, ndonës një individ dhuron diçka të rëndësishme, ai nuk merr atë që meriton dhe ai duhet të kuptojë se si ta justifikojë një pasojë të tillë pa shkelur harmoninë shpirtërore. Prandaj, hipokrizia është rezultat i një përpjekjeje për të mbajtur një ekuilibër.

Simptoma e hipokrizisë

Përmes një grupi faktorësh ne mund të kuptojmë hipokrizinë. Para së gjithash, këto janë sinjale joverbale: një buzëqeshje “e sinqertë”, që do të identifikoheshin lehtë me “miss buzëqeshjen”, “sy pastërt”, muskuj të tensionuar të fytyrës, shtirje për empati emocionale etj. Hipokritët kanë një ton zëri të panatyrshëm, ata hezitojnë, por në thelb janë aktorë të zotë sa mezi hetohen. Ndjenja shumë shqetësuese e komunikimit, që ka në vetvete një mashtrim është mungesa e ngjyrosjes emocionale me ngjyra reale, një interesim i tepërt për atë që po flitet – dikush mund të mendojë intuitivisht se një person nuk investon energji me fjalët e tij.

Në shoqëri, është e zakonshme që këta individë të kritikojnë të tjerët për të argumentuar për veten e tyre, janë cinikë me lëvdata dhe fjalë të mira. Në të njëjtën kohë, hipokritët nuk humbasin mundësinë për të ndarë sukseset e të tjerëve duke e përfshirë gjithmonë veten. Në fakt, individë të tillë thonë më shumë – dhe ata premtojnë me anë të fjalëve, por në fund ata nuk përpiqen të përmbushin asnjë nga premtimet e dhëna.

Në vend që të shprehin mendimet e tyre drejtpërdrejtë, sytë e tyre janë atë që flasin shumë. Si rezultat, këta njerëz përpiqen të krijojnë përshtypjen më pozitive, të kënaqin të tjerët dhe të tërheqin vëmendjen tek vetja.Por ata respektojnë vetëm njerëzit efektivë (ata që ju interesojnë) dhe nuk i trajtojnë të gjithë rreth tyre në mënyrë të barabartë. Për më tepër, personalitetet hipokrite vetëm ndihmojnë në kushte të favorshme, ju nuk do të merrni mbështetje prej tyre, nëse nuk keni rëndësi për ata së pari.

Falë karakteristikave të renditura më lart, nuk është shumë e vështirë të njihet hipokriti, sidomos në krahasim me njerëzit e ndershëm. Por çfarë duhet të bëni nëse keni gjetur sjellje të ngjashme tek një nga të afërmit tuaj?Keni takuar në rrethin tuaj shoqëror ndonjë model të tillë hipokriti?

Në fakt kjo na ndodh të gjithëve në përditshmërinë tonë, sidomos për shkak të kulturës dhe traditave tona, të cilat në thelb janë shumë të lidhura, pikërisht me këtë dukuri.

 

Ne e mirëpresim “mikun” dhe i buzëqeshim, por thellë brenda nesh edhe mund të mos e durojmë dot praninë e tij. E mirëpresim për shkak të “zakonit”  të “traditës”, ndërkohë që kur kemi vërtetë nevojë për njëri – tjetrin nuk i gjëndemi njëri – tjetrit pranë. Ose kur qëllimi i kontaktit dhe komunikimit është thjesht mbushja me material thashethemesh, të cilat do iu zgjasin përtypjen për një ose disa muaj. Vizitat shërbejnë për të parë si e ka miku; shtëpinë, sa apo si e mban pastër, si e ka nusen, çfarë kushtesh ekonomike ka dhe t’i bën llogaritë si më i miri ekonomist. Të gjitha këto të fshehura nën rolin e aktorit hipokrit.

 

Në kemi edhe etiketën si populli me tolerancën me të veçantë fetare, kur në thelb nuk është veçse një shtrije dhe një mungesë besimi i sinqertë. Këtë e dëshmojnë edhe rastet ekstreme të shfaqjeve dhe të përdorimit të fesë për intersat personale, ku individët ndryshojnë pamjen dhe imazhin e tyre, (rastet e shumta në Kosovë të rritjes së mjekrave apo mbulesës tek femrat, për përfitime ekonomike, pa dashur të fyejmë besimtarët e devotshëm dhe parimorë, të cilët vetpërjashtohen me sjelljen e tyre nga kjo kategori) shtiren dhe janë hipokritë ndaj besimit të sinqertë dhe të moralshëm, për arsye personale dhe interesa vetjake të pashpalluara.

Nuk mund ta mohojmë edhe hipokrizinë për famë, pushtet apo karrierë. Këtu individët në shoqërinë tonë japin më shumë dhe sakrifikojnëedhe më shumë nga kreativiteti i tyre për të realizuar një kryevepër të hipokrizisë.Pse?Sepse për artistin sot nuk ka nevojë thellësia e mendimit apo vlera e artit, por kapeja e kaubojsit apo fotot me shkurre dhe të fotoshopuara nëinstagram të poeteshave sexy,që arrijnë më mijëra followers.Pra, arti për ta nuk është më cilësi, por sasi.Dhe për këtë nivel të krijuesve nuk ka vlerë mesazhi, por imazhi.

Njejtë ndodh edhe me shkencën që bie në dorë të hipokritëve të cilët shkojnë në konferenca, më shumë për të bërë foto dhe për të marrë like në facebook sesa për të diskutuar për çështje shkencore, për të cilat bëjnë sikur ata i kanë krijuar që nga gjeneza, ndërkohë që fatkeqësisht punimet e tyre nuk ia shkojnë as Wikipedias.

Punime të cilat, ndonëse “ju duhet shumë për të qenë mediokre” janë arritur falë përdorimit të metodave të hulumtimit të cilat nisin dhe përfundojnë brenda stileve alla qenushi. Ose të tjerë që na dalin si përfaqësuesit më të denjë të shkencës dhe marrin përsipër edhe të gjykojnë të tjerët, ndërkohë që titujt e tyre i kanë fituar falë hipokrizisë nëpër universitete fantazmë që dihet se çfarë mielli bluajnë dhe me çfarë kostoje. Falë përvojës sime personale këto tipare mund të identifikohen me individë konkret, rasti i fundit me një dekan universiteti.

Kurse për pushtetin bëhet lufta më e madhe, aktorët janë më interesantë, punojnë më shumë me rolet e tyre, sepse preja është edhe më e madhe. Pushteti, i bën këta aktorë të skenës sonë teatrale të përditshmnërisë të sforcohen dhe të bëjnë edhe prova para pasqyrës për mënyrat; se si do ta lavdërojnë shefin, se si do të ngrejnë tonin e zërit kur do të flasin për partinë e zemrës, se si do të gjejnë argumentet më bindëse për të folur rreth suksesit të merituar të shefave të tyre, se si shpesh prej megalomanisë së fshehur do të marrin edhe kompetencat që nuk u takojnë dhe do t’u duket vetja shef etj.

Si të merreni me hipokrizinë

A është e mundur të merreni me një tipar të tillë të karakterit? Po mund të merremi sepse, nëse një person është i motivuar, edhe mund të ndryshojë.Pastaj le të hedhim një vështrim më të afërt tek mënyrat me të cilat vlen të punohet.

 

Sferë njohëse.Për të hequr qafe hipokrizinë, duhet të njihni unitetin tuaj dhe të mos adresoni pritjet e shoqërisë.Standardet e njerëzve të tjerë mund të ndryshojnë individin, sepse ju duhet të ndiqni udhëzimet tuaja morale.

 

Përgjegjësi. Hipokrizia ndodh në bazë të frikës nga pikëpamjet e të tjerëve. Është e mundur vetëm ta tejkalosh këtë duke mësuar të jesh përgjegjës për zgjedhjen tënde të përditshme ndërmjet së mirës dhe së keqës.

Vetëzhvillimi. Çdo person duhet të ketë parime të patundura të cilat  janë të pranueshme dhe të vlerësuar moralisht nga shumica e shoqërisë dhe parimeve të saj. Kjo arrihet nëpërmjet një kuptimi të hierarkisë së vlerave të krijuara nëpërmjet vetëkontrollit të brendshëm dhe zhvillimit të vazhdueshëm.

 Vetëbesim.Një person që respekton veten e ka më të lehtë për të fituar respektin e të tjerëve. Ai nuk duhet të marrë masa të veçanta, ai është i mjaftueshëm për të qenë vetë. Në fund të fundit, hipokrizia na pengon të tregojmë vlerën e vërtetë në shoqëri dhe na shdërron në një vegël të pavlerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.