I akuzuari në paraburgim për vrasje të vëllait, shtyhet gjykimi për dëmtim të rrethojës
Mungesa e të akuzuarit Jonuz Gashi, i cili rezultoi se gjendet në paraburgim i ngarkuar për vrasjen e vëllait H.G, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë për të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ku i njëjti akuzohet se në tetor të 2020-ës me sëpatë kishte dëmtuar rrethojën e oborrit të shtëpisë së të dëmtuarit.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Gashi, gjyqtari Ilir Rashkaj, tha se postieri në fletëkthesë ka konstatuar se i njëjti gjendet në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në mungesë të tij, gjykatësi Rashkaj, për të siguruar praninë e palës për seancën e radhës tha se do të lëshojë urdhëresë për sjellje, njësitit të transportit të të paraburgosurve në Lipjan.
Në këto rrethana, seanca u shty, ndërsa seanca e radhës sipas gjyqtarit Rashkaj, do të mbahet gjatë muajit janar të vitit 2022.
Sipas aktakuzës ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të pandehurit dhe të dëmtuarit lidhur me pronën të cilën i dëmtuari e kishte blerë nga djemtë e vëllait të të pandehurit, i pandehuri i revoltuar me këtë për shkak se prona ishte blerë nga i dëmtuari pa pëlqimin e tij, në ditën kritike me një sëpatë i dëmton rrethojnë oborrit të shtëpisë së të dëmtuarit e cila ishte ndërtuar prej shtyllave të betonit dhe rrjetës së metalit.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me këtë rast, të dëmtuarit i shkakton dëm material rreth 100 euro.
Me këtë, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale të “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, nga neni 321, pargrafi 1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.