18-04-2024

I akuzuari në paraburgim për vrasje të vëllait, shtyhet gjykimi për dëmtim të rrethojës

Mungesa e të akuzuarit Jonuz Gashi, i cili rezultoi se gjendet në paraburgim i ngarkuar për vrasjen e vëllait H.G, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë për të enjten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ku i  njëjti akuzohet se në tetor të 2020-ës me sëpatë kishte dëmtuar rrethojën e oborrit të shtëpisë së të dëmtuarit.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Gashi, gjyqtari Ilir Rashkaj, tha se postieri në fletëkthesë ka konstatuar se i njëjti gjendet në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në mungesë të tij, gjykatësi Rashkaj, për të siguruar praninë e palës për seancën e radhës tha se do të lëshojë urdhëresë për sjellje, njësitit të transportit të të paraburgosurve në Lipjan.

Në këto rrethana, seanca u shty, ndërsa seanca e radhës sipas gjyqtarit Rashkaj, do të mbahet gjatë muajit janar të vitit 2022.

Ndryshe, i akuzuari Jonuz Gashi gjendet në paraburgim, pasi që po akuzohet se gjatë muajit qershor të viti 2021, ka privuar nga jeta vëllanë e tij.

Sipas aktakuzës ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të pandehurit dhe të dëmtuarit lidhur me pronën të cilën i dëmtuari e kishte blerë nga djemtë e vëllait të të pandehurit, i pandehuri i revoltuar me këtë për shkak se prona ishte blerë nga i dëmtuari pa pëlqimin e tij, në ditën kritike me një sëpatë i dëmton rrethojnë oborrit të shtëpisë së të dëmtuarit e cila ishte ndërtuar prej shtyllave të betonit dhe rrjetës së metalit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me këtë rast, të dëmtuarit i shkakton dëm material rreth 100 euro.

Me këtë, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale të “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, nga neni 321, pargrafi 1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë̈ fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.