I akuzuari për zhvatje e korrupsion e kërcënime pritet ta zë vendin e Vokrrit
Federata e Futbollit të Kosovës sot do të mbajë kuvendin e jashtëzakonshëm, në të cilin pritet të zgjidhet pasardhësi i të ndjerit Fadil Vokrri. Nënkryetari i deritanishëm i FFK’së, Agim Ademi është kandidati i vetëm për këtë pozitë. Ai mori përkrahjen e pothuajse të gjitha lidhjeve rajonale të futbollit kosovar.
Ademi, i cili mund të marrë epitetin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës ishte i akuzuar për zhvatje e korrupsion. Madje, në aktakuzën ndaj tij thuhet se ai ka kërcënuar dëshmitarin e këtij rasti, i cili përmes një incizimi kishte zbuluar skandalin.
Burime të Periskopit kanë bërë të ditur se me 20 korrik të këtij muaji do të mbahet seanca e radhës gjyqësore, ndërkohë që ky rast pas përfundimit të gjykimeve nga EULEX’i, u ka kaluar vendorëve.
Për këtë vepër penale, Ademi mund të dënohet me 10 vjet burg.
Ende pa përfunduar e pamja për kryetarin e FFK’së, Fadil Vokrrin, i cili vdiq nga një sulm në zemër, Lidhja Rajonale e Futbollit të Prizrenit dhe Lidhja Rajonale e Futbollit të Gjilanit, ftuan nënkryetarin e FFK’së, Agim Ademin që të thërras kuvendin zgjedhor për të zgjedhur kryetarin e ri të Federatës.
Arsyetimi i tyre për këtë nguti ishte që të mos krijohet boshllëk institucional.
Madje, të dy Lidhjet në propozimin e tyre kërkuan nga nënkryetari Agim Ademi që të kandidohet për të parin e Federatës së Futbollit të Kosovës.
Më 2012, Ademi kishte mbajtur 30 ditë paraburgim, pasi akuzohej për korrupsion e zhvatje.
Madje, paraburgimi ndaj tij ishte caktuar edhe për shkak të kërcënimit të mundshëm të dëshmitarëve për rastin në fjalë.
Përveç Ademit, të akuzuar ishin edhe biznesmeni Muharrem Rama, dhe ish-kryesuesi i Kuvendit të Prishtinës, Sami Hamiti.
Biznesmenët Agim Ademi dhe Muharrem Rama nga Prishtina, ishin kapur në një incizim duke kërkuar ryshfet në emër të ish-kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamitit.