19-04-2024

I vunë zjarrin qenit me arsyetimin se ka koronavirus – Policia jep këto detaje (VIDEO)

Policia e Kosovës nuk ka arritur ende t’i identifikojë personat që të hënën në mesditë i vunë flakë një qeni, me arsyetimin se ishte i infektuar me koronavirus.

Krejt çka mund të themi deri tani është se rasti është duke u trajtuar, duhet ekzaminim i vendit e video për të gjetur kush e ka bërë këtë veprim, ka thënë për Insajderin Avni Zahiti, zëdhënës i stacionit të policisë në Mitrovicë.

“Nuk kemi diçka konkrete, janë duke e trajtuar çështjen ende nuk dihet se kush janë kryesit e këtij veprimi. Duhet pak kohë me trajtu rastin, duhet të ekzaminohet mirë vendi e videoja”, ka deklaruar Zahiti.

Ndryshe, rasti ka ndodhur në afërsi të hotelit “Vila Lux” në Mitrovicë.

Ky akt i tmerrshëm, i filmuar me kamerë amatore nga kryerësit e veprës, shfaq qenin e përfshirë nga zjarri. Në prapavijë dëgjohen zërat e atyre që dyshohen ta kenë kryer krimin, raporton Insajderi.

Tri ditë më parë, Qeveria e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve që të eliminojnë kontaktet fizike me kafshët.

Në një konferencë për shtyp të premten, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kërkoi nga qytetarët të jenë të kujdesshëm në kontakte fizike me kafshët.

“Nëse keni kafshë shtëpiake largoni ato apo keni shumë kujdes”, u shpreh Vitia.

Kjo deklaratë e ministrit Vitia ngjalli reagimin e Odës Veterinare të Kosovës, të cilët i kërkuan ministrit të tërheq fjalët e tij për “largimin e kafshëve”.

Asnjë koment

Comments are closed.