22-11-2024

Inspektori në Prizren deklarohet i pafajshëm për dhënie të kundërligjshme të lejes për lojërat e fatit

Inspektori i tregut në Komunën e Prizrenit, Fatmir Gashi, është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehere Gashi, i akuzuari Fatmir Gashi, ka thënë se nuk e ndien veten fajtor për akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi që i akuzuari e ka mohuar fajësinë, gjykatësja Raima Elezi, e ka njoftuar atë se brenda afatit ligjor ka të drejtë të paraqes kundërshtimet si dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, derisa shqyrtimin e dytë gjyqësor e ka caktuar më 9 korrik 2019, në ora 09:00.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 24 maj 2019, i pandehuri Fatmir Gashi akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Fatmir Gashi akuzohet se me 29 gusht 2014 në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij pëlqimi ky biznes është licencuar nga Divizioni për Lojërat e Fatit, me ç’rast biznesit në fjalë i sjellë dobi duke ia aprovuar kërkesën dhe duke e lejuar që ta ushtrojë veprimtarinë e tij, deri me 28 korrik 2017, kur Divizioni për Lojërat e Fatit i ATK-së e mbyll këtë veprimtari.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtare. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.