13-12-2024

Malisheva përgatitet për shënimin e ditës së çlirimit

Përgatitjet për shënimin e 20-vjetorin e çlirimit të Malishevës janë duke vazhduar, ndërsa aktivitete të ndryshme do të zhvillohen gjatë tërë kësaj jave. Kështu është thënë në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve në Komunën e Malishevës, e cila është drejtuar nga kryetari Ragip Begaj.

Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Besartë Kryeziu-Ramaj, gjatë raportimit në këtë mbledhje, ka deklaruar se gjatë tërë javës do të ketë aktivitete të ndryshme, kulturore dhe sportive, në kuadër të shënimit të 16 qershorit – Ditës së Çlirimit dhe Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Malishevës.

Sipas saj, aktivitetet kryesore do të mbahen të dielën më 16 qershor, të cilat do të fillojnë me pritjet në zyrën e kryetarit, pastaj përurimin e kompleksit memorial të masakrës së Burimit, për të vazhduar me mbledhjen solemne, i cili është aktiviteti kryesor, pastaj me homazhe dhe nderime në vendet me rëndësi historike të luftës së UÇK-së, dhe për të përfunduar me koncertin tradicional në qendër të qytetit dhe përfundojnë me ndezjen e fishekzjarrëve.

Po ashtu, në mbledhjen e Këshillit të Drejtorëve, përgjegjësit e drejtorive komunale, kanë raportuar për aktivitetet e tyre, ku është bërë e ditur se gjatë javës pritet të përfundojnë procedurat për shumë projekte kapitale, pastaj përgatitjet për mbajtjen e testit të maturës, përfundimi i vitit shkollore dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ardhshëm shkollor, përkatësisht për regjistrimin e nxënësve në klasat e dhjeta dhe klasat e para.

Sa i përket situatës epidemiologjike me EHKK-në, drejtoritë përkatëse kanë theksuar se janë duke vazhduar me fushatën e dezinsektimit dhe pavarësisht rasteve të thumbimeve nuk ka asnjë rast të infektuar nga EHKK-ja..

Asnjë koment

Comments are closed.