Irani sulmoi Izraelin me 150 raketa, 99% u kapën, ka të plagosur
Irani lëshoi dy valë raketash kundër Izraelit në sulmin e nisur mbrëmjen e 13 prillit. Vala e parë kishte 80 raketa dhe e dyta 70, gjithsej 150 raketa u lëshuan drejt tokës hebrenje. Kjo u raportua nga një burim i administratës amerikane për ABC News.
Ndërkohë, nga sulmi ajror me dronë dhe raketa disa qytetarë izraelitë u plagosën gjatë arratisjes në strehimore, raportoi shërbimi izraelit i urgjencës, sipas ABC. Për momentin nuk ka asnjë lajm për ndonjë të vdekur.
Një burim izraelit tha se sistemi i mbrojtjes ajrore ka kapur 99% të dronëve dhe raketave të lëshuara nga Irani. Media Ynet citon zyrtarë izraelitë për lajmin.
Mjaft dronë dhe raketa iraniane u interceptuan në Jordani e Siri edhe nga ushtria amerikane e ajo britanike, duke zbehur ndjeshëm valën e sulmit ajror mbi Izrael.
Tel Avivi ka paralajmëruar me kundërpërgjigje ushtarake ndaj Iranit. Kabineti i luftës i mbledhur me urgjencë miratoi vendimin për “përgjigje ushtarake” ndaj Teheranit.