25-11-2024

Ish-inkasanti i “Hidroregjionit Jugor” sërish nuk e pranon fajësinë për përvetësim në detyrë

Ish-inkasanti i “Hidroregjionit Jugor”, Hafir Gallopeni, në seancën e mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, përsëri është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të përvetësimit në detyrë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ervehe Gashi, Gallopeni deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, në pajtim me palët, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Ajser Skenderi ka vazhduar me procedurën e provave të administruara nga ekspertët financiar.

Në këtë drejtim, është lexuar deklarata e ekspertit financiar Qemail Smaili, raporti i ekspertit financiar Bashkim Ibrahimi, si dhe janë lexuar super ekspertizat e ekspertëve financiar Agim Kastrati, Isak Krasniqi dhe Granit Fetahu.

Gjithashtu janë lexuar deklaratat e dëshmitareve Hysni Ahmeti, Merlinda Ramadani-Hajdari, Shaip Elshani dhe Agim Topqideri.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Asman Hoxha tha se qëndrojnë pranë deklarimeve nga seancat e kaluara, duke shtuar se kanë vërejtje në të gjitha provat materiale-ekspertizat, në përjashtim të ekspertizës së ekspertit financiar Qemal Smaili.

Në fund, trupi gjykues mori aktvendim për ndërprerjen e shqyrtimit dhe caktoi shqyrtimin e ardhshëm gjyqësor për 15 shtator 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, më 3 mars të vitit 2016, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Hafir Gallopeni, Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, për veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

Ata akuzohen se në cilësi të inkasantëve në kompaninë e ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, nga periudha mars 2013 – maj 2015, nuk e kanë dorëzuar të gjithë shumën e inkasuar nga konsumatorët, duke i shkaktuar kompanisë në fjalë dëm në vlerë rreth 26 mijë euro.

Mirëpo, të akuzuarit Faik Berisha, Isen Ramanaj dhe Dardan Gashi, pas ngritjes së aktakuzës, kanë arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, me organin e akuzës, ndërsa i akuzuari Hafir Gallopeni, nuk ka arritur një marrëveshje të tillë, andaj për të njëjtin procesi gjyqësor ka vazhduar ndaras. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.