Prizren: Gjykata merr vendim ndaj të dyshuarit të vrasjes së imamit në Dragash dhe babait të tij
Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit B.H. për vrasjen e imamit në Dragash, si dhe një muaj paraburgim ndaj babait të tij, I.H, përcjell Gazeta e Prizrenit.
I pandehuri Beshir Hamza, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Vrasja e rëndë ( privon nga jeta personin tjetër Gazmend Tahirovci në mënyrë mizore apo dinake) , dhe ndaj të pandehurit I.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, Mosdhënia e ndihmës( vepra penale ka rezultuar me vdekjen e personit të rrezikuar).

I pandehuri B.H., më 29.06.2026, rreth orës 23:00, në fshatin Zlipotok, Komuna e Dragashit, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin G.T. Sipas hetimeve të deritanishme, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një mosmarrëveshjeje të mëhershme ndërmjet të pandehurit dhe viktimës lidhur me shfrytëzimin e një prone (livadhi). I pandehuri B.H., i ka shkaktuar viktimës lëndime me mjet të mprehtë (thikë), si pasojë e të cilave viktima G.T., ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
![]()
Ndërkaq, i pandehuri I.H., (babai i të pandehurit B.H.) dyshohet se, edhe pse ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes dhe ka pasur mundësi të ofrojë ndihmë pa rrezikuar veten apo të tjerët, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar ndihmë viktimës, e cila ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.
“Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thotë gjykata.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, në bazë të provave materiale të mbledhura deri në këtë fazë, duke gjetur si të bazuar dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale nga të pandehurit, vlerëson se me masën e paraburgimit do të arrihet të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe se do të mund të zhvillohen normalisht dhe pa pengesa procedura penale. /GeP

Masa e paraburgimit është e arsyeshme dhe ligjore, me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës hetimore, nxjerrjen e provave materiale, marrjen e deklaratave të dëshmitarëve dhe të të dyshuarve, dhe sigurimin e prezencës së të pandehurve para institucioneve të drejtësisë me qëllim të zbardhjes së ngjarjes, si dhe parandalimit të arratisjes së të dyshuarve, Gjyqtarja ka vlerësuar se masa tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e prezencës së të dyshuarve dhe rrjedhën e papenguar të fazës hetimore, përfundon gjykata.

