Ish-mësuesi e paditi Komunën e Malishevës, kjo e fundit thotë se s’ka para për kompensim
Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, të mërkurën, ka përfunduar seanca përgatitore në rastin ku paditësi Ahmet Tredhaku, i cili po kërkon nga Komuna e Malishevës, përkatësisht Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), kompensimin e shujtave ditore.
I autorizuari i paditësit Tredhaku, avokati Haki Kryeziu, ka deklaruar se mbetët pranë padisë dhe kërkesëpadisë, duke kërkuar shujtat ditore sipas Kontratës Kolektive prej datës së hyrjes në fuqi të kësaj kontrate e deri më datën e pensionimit të paditësit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Përveç kësaj avokati Kryeziu, tha se për seancën e shqyrtimit kryesor do ta sjellë vërtetimin mbi ditët e punës së paditësit.
Lexo edhe:
Prizreni me performancë të dobët për Arsimin parauniversitar (Dokument)
Ndërsa, avokati publik komunal, Mujë Sahitaj ka deklaruar se e konteston padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit si të pa bazuar, me arsyetimin se nuk mjete buxhetore të planifikuara për këtë kategori.
Pasi që palët ndërgjyqëse deklaruan se nuk kanë prova të tjera për të deponuar, gjyqtari i çështjes Nehat Qelaj, mori vendim që seanca e shqyrtimit kryesor të caktohet për datën 4 nëntor 2020, në ora 09:00.
Sipas padisë së ushtruar më 15 qershor 2020, paditësi Ahmet Tredhaku deri më datën 2 prill 2020, ku i është ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak të pensionimit ka qenë mësimdhënës klasor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët (SHFMU), “Emin Duraku” në fshatin Dragobil, Komuna e Malishevës.
Në padi thuhet se paditësi kërkesën e tij e ka bazuar në Kontratën Kolektive të Arsimit në Kosovë, ku sipas kësaj kontrate, punëtorët e arsimit gëzojnë të drejtën më nga një shujtë ditore në vlerë prej dy euro gjatë ditëve të punës.
Siç thuhet në padi, paditësit Tredhaku, kjo e drejtë nuk iu ka njohur nga e paditura, andaj ajo po kërkon nga gjykata që ta detyroj Komunën e Malishevës, respektivisht Drejtorinë Komunale të Arsimit, që atij t’ia kompensojë shujtat ditore gjatë punës për vitet 2016, 2017, 2018, 2019, duke llogaritur shujtën ditore në vlerën prej dy euro, në shumën e përgjithshme prej 2,068.00 euro dhe atë me kamatë ligjore prej 12%, si dhe shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi