03-11-2024

Ish-policët prizrenas, të akuzuar për marrje ryshfeti, kërkojnë marrëveshje për pranimin e fajësisë

Ish-policët Neshat Avdaj, Driton Bajrami dhe Myzafer Sylejmani, të cilët akuzohen për marrje ryshfeti gjatë kohës sa kanë punuar si zyrtarë policorë, të premten, gjatë seancës së parë të rigjykimit të tyre, kanë kërkuar afat nga gjykata që të negociojnë marrëveshje me prokurorinë për të pranuar fajësinë.

Ndërsa, i akuzuari Binak Bytyqi dhe mbrojtësi i tij, avokati Rexhep Hasani, nuk kanë shprehur gatishmërinë për të hyrë në marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Derisa pritej që të mbahej rigjykimi ndaj të akuzuarve në këtë rast penal, mbrojtësi i të akuzuarit Neshat Avdaj, avokati Fitim Shporta, ka kërkuar nga trupi gjykues një afat kohor me arsye se klienti i tij dëshiron të negociojë me organin e akuzës, një marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Një propozim të tillë e kanë përkrahur edhe mbrojtësit e të akuzuarve Driton Bajrami dhe Myzafer Sylejmani, avokatët Asman Hoxha, respektivisht Bashkim Nevzati e po ashtu gatishmërinë për të hyrë në negociata e ka shprehur edhe prokurori i rastit, Mehdi Sefa.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Ajser Skenderi, ka aprovuar propozimin e mbrojtësve Shporta, Nevzati dhe Hoxha, duke u dhënë afat deri më 4 shtator 2018, në ora 13:30, kur edhe do të mbahet seanca e radhës në këtë çështje penale.

Ndryshe, më 24 shkurt 2017, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve në fjalë, të cilët i akuzon se gjatë periudhës gusht-nëntor 2016, duke vepruar si policë trafiku, drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe marrë ryshfet në të holla.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit, u kanë marrë para shkelësve të rregullave të trafikut, në shuma të ndryshme, duke filluar prej 10 e deri në 100 euro, në mënyrë që të mos u shqiptojnë gjobat kundërvajtëse.

Në nëntor 2017, Gjykata Themelore në Prizren, kishte dënuar të akuzuarin Neshat Avdaj me 2 mijë euro gjobë dhe me burgim efektiv prej një viti, ndërsa të akuzuarit Driton Bajrami dhe Myzafer Sylejmani, me nga 1500 euro dhe me nga 8 muaj burgim efektiv, të cilët gjatë shqyrtimit gjyqësor kishin pranuar fajësinë.

Ndërsa, i akuzuari i katërt, Binak Bytyqi, ishte liruar nga akuza për marrje ryshfeti me arsyetimin se nuk është arritur të provohet akuza gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Mirëpo, më 29 mars 2018, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe mbrojtësve të të akuzuarve Bajrami dhe Sylejmani, duke kthyer lëndën në rigjykim dhe rivendosje.

Sipas vendimit nga Apeli, rasti është kthyer në rigjykim për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, zbatimi i gabuar i ligjit penal dhe kundërthënieve në mes dispozitivit dhe arsyetimit.

Në vendimin e Apelit thuhet se gjyqtari i shkallës së parë ka liruar njërin prej të akuzuarve duke pretenduar se masat e fshehta nuk janë zbatuar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, mirëpo gjatë arsyetimit thirret në provat që kanë dalë si pasojë e atyre masave të fshehta./betimiperdrejtesi/

 

Asnjë koment

Comments are closed.