03-11-2024

Prevalla sfidon automobilistët në garën malore

Prevalla është pikë-takimi i radhës për automobilistët e Kosovës. Gjatë kësaj fundjave do të zhvillohet gara e tretë në disiplinën malore, për të cilën interesimi është mjaft i madh.

Investimet e mëdha që i kanë bërë disa nga garuesit është sinjali më i mirë që gara do të jetë shumë atraktive, me rivalitet të madh dhe e vështirë për t’u parashikuar fituesit. Pa e mohuar interesimin dhe synimet e garuesve tjerë, këtë herë vëmendja është përqendruar te Prizreni D&G, Liridon Kalenderi, i cili për herë të parë do të paraqitet me veturën e re, Mitsubishi Evo 9, veturë kjo tejet atraktive për dashamirët e auto sportit.

Të shtunën deri në orën 09:00 bëhet paraqitja në garë, pastaj është verifikimi i dokumentacionit, përgatitjet teknike, publikimi i listës finale, për të filluar në orën 13:00 me vozitjen e parë provuese.

Të dielën, nga ora 10:00 bëhet vendosja e garuesve në start sipas rezultateve të arritura të shtunën, vendosja e zyrtarëve të garës në shteg, brifingu me garues, ndërsa gara zyrtarisht fillon në orën 12:00.

Përveç Federatës së Auto Sportit të Kosovës dhe Auto Klubit Prizreni D&G si organizatorë, në mbarëvajtjen e garës do të asistojnë edhe Policia e Kosovës, Ndihma e Shpejtë dhe Brigada e Zjarrfikësve./koha.net/

Asnjë koment

Comments are closed.