25-11-2024

Ish-zv/ministri dhe njëri nga themeluesit e NISMA-s në Prizren jep dorëheqje

Ish- zv.Ministëri dhe njëri nga themeluesit e NISMA‘s, Afrim Bekteshi , ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet në këtë subjekt politik.

Në një postim në Facebook, Bekteshi ka thënë se dorëheqjen time do doja t’a manifestoja me heshtje, por jo një heshtje që do të nënkuptonte se nuk kam asgjë për të thënë, përkundrazi.

Do preferoja heshtjen, ngase nuk është në formësimin tim njerëzor e politik, që (si rëndom) pas dorëheqjeve, t’i shpërfaqë të këqijat e subjektit që i kam takuar.

Ky është njoftimi i plotë:

D O R Ë H E Q J E !
Unë, Afrim Bekteshi, njëri nga themeluesit e NISMA‘s, ish zv.Ministër, kandidat për deputet, anëtar i Këshillit Kombëtar, sekretar i degës së NISMA’s në Prizren, jap DORËHEQJE nga NISMA!
———————-
Dorëheqjen time do doja t’a manifestoja me HESHTJE, por jo një heshtje që do të nënkuptonte se nuk kam asgjë për të thënë, përkundrazi. Do preferoja heshtjen, ngase nuk është në formësimin tim njerëzor e politik, që (si rëndom) pas dorëheqjeve, t’i shpërfaqë të këqijat e subjektit që i kam takuar.

Edhe pse i rrethuar nga “njerëz toksik”, shumëherë i dëshpëruar, e edhe përkundrejt fyrjeve, prap për të mirën e shpisë, iu përmbajta parimit se “Ai që merret me politikë, nuk duhet të krijoj armiq”.
Megjithatë, qare s’kam pa u rrëfyer pak…

Pa qenë asnjëherë më parë pjesë e ndonjë subjekti politik, iu rreka kësaj iniciative të re politike me besim e bindje të thellë, duke investuar gjithçka nga vetja, jo një javë, as një muaj, por vite të tëra, edhe kundrejt shumë atyre që aso kohe gjuanin (siç thotë populli) “gurë e dru“ mbi Ne.

Ishim të pakët, por vullnetarizmi hakikat, solli rezultate që as vet nuk i prisnim. Nuk e besoj se për këto gjashtë vite sa ka jetëgjatësi NISMA që ka ikur ndonjë aktivitet pa qenë i pranishëm kontributi im, e veçanërisht në Degën e Prizrenit, ku gjithçka që është zhvilluar në të, bart erën e duarve dhe djersës time.

Tani, e rëndësishme për mua është se, ndjehem rehat që gjatë këtyre viteve sa isha pjesë e NISMA’s, qoftë si aktivist apo pjesë e strukturave udhëheqëse e deri tek përfaqësimi institucional si zëvendësministër, askush dhe për asgjë nuk mund t‘a drejtoi gishtin për të keq. Gjatë gjithë kësaj kohe, jam munduar t‘i jap ngjyrë subjektit që i kam takuar, sikurse të tregoj dhe kulturë politike e institucionale kudo ku duhej përfaqësimi, e deri në këtë moment ku po rikthehem si një qytetar i thjeshtë tek populli.

Ajo që më dhemb është se, kurrë nuk e kam menduar dorëheqjen, sikurse që kurrë nuk e kam menduar se një ditë, nga veprimet dhe qendrimet politike të NISMA’s, dikush nga anëtarët e devotshëm, do detyrohet të largohet. Këtu mund t‘a pranoj naivitetin tim politik, por ama kurrë nuk e pranojë se u largova, porse po detyrohem të largohem.

Pse po e marrë këtë vendim.?!Arsyet janë të ndryshme, por siç e ceka më lartë, nuk do t’i shpërfaqë në asnjë rrethanë të këqijat e mbrendshme. Tekefundit, secili le t‘i vuan në brendinë e tij.
Mirëpo, e keqja ishte dhe mbetet ajo që po shihet nga jashtë, e që nuk mund t’a fshehim dot.

Asesi nuk munda ta kuptoj se, PSE tash e një vit, nuk u morëm fare me veten dhe me reforma partiake?!. PSE n’a u desht t’a thellojmë aq shumë hendekun e përçarjes politike, dhe PSE erdhëm tek “pika e vlimit”, ku u bëmë pjesë e një të keqeje të pariparueshme. PSE gojen plot meritokraci, e n’fakt mosrespektimi i mendimit ndryshe vrau demokracinë brenda partisë. PSE komplekset e inferiorëve qenë të pamundura për t‘u shëruar dhe PSE dëshirat e narcizoidëve politik, ngadhënjyen përballë atyre që ia vun shtyllat e para k’saj shpije dhe investuan aq shumë në rejtingun e këtij lidershipi.?!…Këto, dhe jo vetëm.?!

Të dashur miq.
Këtë vendim nuk po e marrë kundër bindjeve të askujt, por as kundër bindjeve të mia. Pra, edhe pse po ndaloj angazhimin politik, kurrë nuk do ndaloi së kontribuari aty ku më ipet mundësia, gjithmonë për të mirën e përgjithshme.
Do të rezistoj, i vendosur si një qytetar, që thellë në vete i ka të instaluara vlerat e socialdemokracisë, e që për qëllime tjera, asesi nuk do të tjetërsohet.

Për fund,
Gjatë këtij rrugëtimi, kam pasur (e uroj t’i kem) mijëra shokë e miq, të cilët më besuan e ndihmuan në forma të ndryshme. Dua t’i falenderoj nga zemra dhe njëkohësisht të ju kërkojë të falur që nuk mundemi të jemi më bashkë. Ka të atillë që sa herë që do t’i takojë do të ndjehem i turpëruar që këmbëngulësisht i binda të jenë pjesë e imja politike, atyre do t’u jem borxhli gjithmonë.

Të dashur qytetar,
ISHA aty, sepse kam besuar se bashkë me ATA, do të jemi JU.
UNË dhe JU, do vazhdojmë të jemi JU, si një shpirt, një frymë, një trup, një dëshpërim, e një gëzim e një fitore.
Kam qenë JU dhe kam me qenë JU.

Kujtohuni:
„Ora më e errët është gjithmonë pak para Agimit të Diellit!“

Asnjë koment

Comments are closed.