Ish-zyrtari i Malishevës dënohet me 3400 euro gjobë për kabllon elektrike të vendosur në fshatin Gajrak
Gjykata Themelore në Gjakovë, të hënën, e ka dënuar me gjashtë muaj burgim ish-shefin e Shërbimeve Publike në Malishevë, Ismet Mazreku, i akuzuar për keqpërdorim detyre.
Pas shpalljes së aktgjykimit nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Nikollë Komani, me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burgim i është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 3400 euro.
Sipas gjykatësit Komani, i akuzuari Mazreku është obliguar që të dëmtuarën, përkatësisht Komunës së Malishevës t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në shumën prej 8,728.90 euro.
Ai i njoftoi palët se kundër këtij aktgjykimi kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 19 prill 2019, i akuzuari Mazreku ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohet.
Sipas aktakuzës së ngritur më 13 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ismet Mazreku, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete apo tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, me rastin e inicimit të “kërkesës për furnizim me kabllo elektrike” për nevojat e fshatit Gajrak të Komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit, në vlerë prej 8.728.90 euro, nga kompania N.T.SH “Leoni” me seli në Malishevë, të cilën edhe pse e ka pranuar, duke konfirmuar në bazë të raportit të 27 tetorit 2015, nuk vërtetohet se e njëjta është investuar në fshatin Gajrak te Komunës së Malishevës.
Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 422 par.2 pika 2.1 lidhur me par.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi