Jep mbrojtjen e tij deputeti Adem Hoxha, akuzohet për dy vepra penale

I pandehurit Adem Hoxha, Deputet i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë së Bashkuar Gorane, i akuzuar për dy vepra  penale, atë të sulmit dhe të kanosjes, në fjalën e tij mbrojtëse drejtuar Gjykatës Themelore në Prizren, dega në Dragash, të martën, ka deklaruar se me të dëmtuarin Fatir Berzati, ka qenë në mardhënje të ngushta miqësore dhe kolegiale.

I pandehuri Hoxha, ka thënë se ky raport mes tyre është prishur në momentin kur sipas tij, i dëmtuari e ka keqpërdorur besimin e tij, e të partisë dhe për këtë arsyeje edhe është detyruar ta shkarkoi nga posti i zëvendësministrit të Ekonomisë në Qeverinë e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Hoxha  ka thënë se i dëmtuari Berzati  pasi që ka marrë vesh për shkarkimin e tij, për të cilin është njoftuar në mbledhjen e cila është organizuar ditën kritike, të nesërmen e ka ftuar së bashku me disa anëtarë të tjerë të partisë, në ëmbëltoren “Karamel” për të folur dhe për ta diskutuar edhe njëherë shkarkimin e tij dhe pasi që ai nuk është bindur për këtë gjë, sipas të akuzuarit, Berzati të nesërmen ka ngritur kallxim penal në polici.

Për t’i dëshmuar pohimet e veta për këtë ndejë, ai i ka sjellë gjykatës si dëshmi edhe  një fotografi.

I pyetur nga përfaqësuesi i tij, avokati Hajrip Krasniqi se a e ka sulmuar apo edhe fyer të dëmtuarin, siç është e përshkruar në dispozitivin e aktakuzës, i akuzuari Hoxha ka thënë se ai asnjëherë nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Deklarimi i fjalës mbrojtëse të të akuzuarit  Hoxha, është ndërprerë pas tri orëve seancë, duke shfrytëzuar këtu edhe pauzën, me kërkesën e përfaqësuesit të tij, avokatit Hajrip Krasniqi, i cili ka thënë  se i duhet të prezantojë në mbledhjen e këshillit drejtues të Odes së Avokateve të Kosovës.

Paraprakisht, gjyqtari i çështjes Luan Berisha ka bërë leximin e shkresave të lendes, përfshirë këtu edhe deklaratat e dhëna në polici të të dëmtuarve Fatir dhe Berzat Berzati, deklaratat e dëshmitarëve Selman Osmani dhe Abullah Halilovic, si dhe deklarata e të pandehurit Adem Hoxha e dhënë në Stacionin Policor në Dragash.

Propozim për leximin e këtyre deklaratave ka bërë prokurori Fatos Ajvazi, ndërsa e ka kundërshtuar mbrojtësi i të pandehurit avokati Krasniqi.

“Këta dy dëshmitar, Selman Osmani dhe Abullah Halilovic janë dëgjuar dhe të gjitha pyetjet që u janë parashtruar këtu janë të ndërlidhura me deklaratat e tyre të dhëna në polici, ndërsa deklarata e Enes Sherifit është lexuar në seancën e mëparshme, ashtu edhe të dëmtuarit, kanë deklaruar se mbesin në tersi pran deklaratave të dhëna në Stacion të Policisë, andaj bazuar me këtë është e pa nevojshme dhe jo efektive leximi i serishëm i tyre” ka thënë avokati Krasniqi në kundërshtimin e tij.

Para  kësaj, gjyqtari Berisha ju ka ofruar palëve në procedurë, përkthimin nga përmbajtja e CD-së, së propozuar si provë seancën e kaluar, nga ana e të dëmtuarve.

Lidhur me CD-në në fjalë, prokurori Ajvazi, deklaron se nuk e kundërshton administrimin e saj si provë, pasi që siç ka thënë ai, përmbajtja e saj ndërlidhet me dëshminë e të dëmtuarve,  po ashtu edhe me dëshminë e dëshmitarëve të tjerë të dhënë në seancat e kaluara.

Mirëpo administrimin e saj si provë, e ka kundërshtuar avokati Krasniqi, i cili ka thënë se edhe përkthyesja e saj, në rreshtin e parë ka thënë se  nuk mund personalizohen personat apo zërat të cilët dëgjohen në CD.

Sipas tij, nuk mund të konstatohet dhe as te vërtetohet se kush i ka thënë ato fjale, kujt i janë drejtuar  dhe nuk janë në harmoni me dispozitivin e aktakuzës.

Gjyqtari Berisha, seancën e radhës për këtë rast, e ka shtyrë me datën 12 nëntor 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 20 shkurt 2018 nga Prokurori Themelore në Prizren, Adem Hoxha akuzohet se më 26 nëntor 2017, në selinë e Partisë së Bashkuar Gorane (JPG), në Dragash, me dashje përdor forcë ndaj personit tjetër, pa pëlqimin e atij personi.

Në aktakuzë thuhet se ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë, që derisa të dëmtuarit Berzat Berzati dhe Fatir Berzati, kishin shkuar në selinë e partisë, ku fillimisht e kishin përshëndetur kryetarin e partisë, tani të pandehurin Adem Hoxha, ku ky i fundit i është drejtuar me fjalët “ti nuk meriton të më përshëndetësh mua”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë bisedës i pandehuri Adem Hoxha është ngritur nga ulësja dhe i është drejtuar tashmë të dëmtuarit Berzat Berzati “ti del në rrugë, sepse nuk je anëtar i partisë dhe nuk ke të drejt të qëndrosh aty”.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari Berzati duke dal jashtë, goditet me shqelma mbrapa nga i pandehuri dhe më pas ai e godet me grushte dhe shuplaka në fytyrë edhe të dëmtuarin Fatir Berzati.

Bazuar në aktakuzë, me datën, kohën dhe vendin e përshkruar si më lartë, i pandehuri Hoxha, seriozisht i kanos të dëmtuarit Fatir dhe Berzat Berzati, me fjalë, vepra apo gjeste se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe.

Sipas aktakuzës, kanosja bëhet në atë mënyrë që u drejtohet me fjalët “ty dhe vëllain tënd kam me ju zhduk, ju keni me qenë shembull për të tjerët, familja ime është e rrezikshme” dhe kishte vazhduar me tutje me fjalët “ti dhe vëllau yt do ta mbani në mend se kush është Adem Hoxha, he ja u q***n***, r*** ”, gjë që, sipas prokurorisë, tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë. /BetimipërDrejtësi