Prishja e koalicionit qeverisës nga ana e AAK-së me Kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj ishte top lajm, jo vetëm për javën që shkoi, por mbase për tërë këto dy vite të qeverisjes lokale, në aspektin politik, raporton “Gazeta e Prizrenit”.
Përveçse i papritur, ky ishte një sensacion, të cilit duhet t’i fshije sytë dhe lexuar edhe tri-katër medie të tjera për ta besuar si të vërtetë. AAK-ja një partner tradicional i PDK-së, që nga viti 2009, tashmë braktisi Totajn, ndërsa pati edhe përkeqësim të gjuhës ndaj kryetarit, duke i quajtur dezinformata deklarimet e tij për prishjen e bashkëqeverisjes.
Pra, vetëm një Kryetar si Totaj, që siç është vlerësuar nga shumëkush, më së paku ka merita përse është ulur në shtëpinë më të pushtetshme në Prizren, meqenëse nuk kishte ndonjë kontribut as politik, as kombëtar, e madje as social, mund të bëhej “sebep” për ta dëbuar mikun e vjetër, që kontribuoi shumë edhe për ardhjen e tij në pushtet, në një kohë shumë të pabesueshme. Kjo ndodhi kur të dy pushtetet, atë lokal e qendror i kishte Vetëvendosje. Madje, vetëm 8 muaj më parë, më 14 shkurt 2021, Abin Kurti pati krijuar një “stuhi politike” duke marrë 51 %, ndërsa ish-kryetari Haskuka doli i pari në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale me 2021.
Derisa Haskuka llogariste edhe në votën e minoriteteve, rreth 8 mijë sosh, PDK-së i mungonin edhe liderët e saj, që siç dihet ndodhen në Hagë.
Në kohën kur skepticizëm për futjen e Totajt në balotazh kanë treguar edhe vetë drejtues të PDK-së, po të mos ishte AAK, bashkë me anëtarë të LDK-së e Nismës, Shaqir Totaj as që do të kishte hyrë në balotazh. Pas një angazhimi titanik të shumëkujt, shumica dashamirë të ndryshimit, e disa si ndëshkim për qeverisjen paraprake, Totaj fitoi me rreth 1 mijë vota epërsi. Pra ishte një revolucion politik, që vetëm Prizreni di ta bëjë.
Por çka ndodhi më vonë? Totaj nuk reflektoi. Sikur u kënaq për postin. Miqtë më të mirë e pa interes i largoi.Sjellje prej amatori politik mund të konsiderohet edhe rasti i fundit me AAK-në. Ai e sakrifikoi koalicionin duke mos e respektuar kërkesën për shkarkimin e drejtoreshës së Emergjencës (AAK).
Në këtë rast, Totaj doli “blof”, kur deklaroi se AAK doli nga koalicioni, pasi nuk pranoi shkarkimin e drejtoreshës për Shëndetësi, që përfaqësonte këtë subjekt. Më pas drejtuesit e AAK-së duke e demantuar Totajn si “dezinformues”, përmes shkresave zyrtare argumentuan se pikërisht ata i kishin kërkuar atij, shkarkimin e saj dhe të drejtoreshës, Ramize Sinanaj-Shala, por që ishte shkarkuar vetëm e para.
Kryetari doli “blof” edhe në rastin kur pas dy vitesh, deklaroi se pozita e drejtoreshës së Shëndetësisë, Burbuqe Krasniqi ka qenë edhe në një formë konflikt interesi, pasi kjo është motra e kryetarit të degës së AAK në Prizren, Besnik Krasniqit, shkruan “Gazeta e Prizrenit”. Por, Totaj mbase në rastin e drejtoreshës së Emergjencës, mund të ketë konflikt interesi.
Për më keq ishte deklarata e kryetarit të AAK-së, që tha se prej një viti, komunikimi me Totajn ka qenë i vrazhdë. Në anën tjetër, Kryetari tha se nuk e ka besuar prishjen e koalicionit nga AAK. Pra, kjo dëshmon se ata nuk kanë pasur takime, për t’i diskutuar vijat e kuqe.
A thua çfarë ka menduar Totaj? Mosmarrja seriozisht e kërkesës për dy shkarkimet ishte sebep për braktisje nga AAK. Për atë nëse është dashur të prishet koalicioni nga AAK do të shkruhet në shkrimin e ardhshëm për AAK-në, por në këtë radhë fokusi do të jetë te Kryetari, meqenëse përgjegjësia është më e madhe.
Derisa është e qartë se secili drejtor komunal e ka epror Kryetarin, në anën tjetër edhe kryetari duhet ta ketë të qartë se nuk duhet të ndërmerr veprime të pamatura ndaj drejtorëve nga partnerët.
Totaj kurrë nuk do ta kishte njohur Ramize Shalën, e as disa drejtorë, po të mos ia kishin dërguar emrin e tyre AAK apo NISMA.
Në këtë rast duhet potencuar, pikërisht një rast të ngjashëm nga qeverisja e Haskukës, ku drejtori për Arsim, Skënder Susuri, ishte larguar nga pozita pas kërkesës së subjektit të tij – Nismës. Pas verifikimit të informacionit, “Gazeta e Prizrenit”, kuptoi se ky nuk ishte vullneti i Haskukës, që u dëshmua edhe më vonë, por Kryetari do ta respektonte partnerin qeverisës. Bile, në momentin e publikimit të paralajmërimit të këtij lajmi nga Gazeta e Prizrenit, njëri nga drejtorët më me përvojë të shkollave, kishte reaguar me mosbesim, duke i ditur raportet Susuri-Haskuka.
Kryetari duhet ta peshojë në detaje një vendim, sidomos kur e ka në fije të perit koalicionin.
Në rastin konkret Totaj, jo që s’ka menduar për zgjedhje lokale, por ka dëmtuar edhe partinë e tij. Kjo sepse partnerët politik duhen edhe për zgjedhjet qendrore.
Askush më mirë se Totaj nuk e di kontributin e ish-kuvendarit aktiv të AAK-së, Ilir Baldedajt, pa përkrahjen e të cilit kurrë nuk do të zgjedhej për Kryesues të Kuvendit Komunal, asambelisti i PDK-Sulltan Badalli, në kohën kur pushtetin e kishte Vetëvendosje. Në fakt, kjo pikërisht ishte goditja më e madhe politike ndaj VV-së, që gradualisht Totajt ia hapi rrugën për ardhje në pushtet.
Megjithatë, Totaj u tregua mosmirënjohës dhe ndaj Baldedajt, kontributi i të cilit siç dihet ishte shumëdimensional për fitoren e Totajt, që për shumëkë ishte e pabesueshme.
Meritë e madhe e koalicionit të mëparshëm PDK-AAK-NISMA ishin edhe katër veprimet tjera goditëse, si stopimi i Komisonit për Arsim, Zonës ekonomike, Hartave Zonale, si dhe buxhetit komunal.
A janë këto tipare të një mosmirënjohësi siç është vlerësuar Totaj.
Mbase këtë e ka kuptuar në fund edhe dega e AAK-së, kryetari i së cilës deklaroi se “Nuk i ka nda rrugët me PDK- në, por vetëm me Totajn”, një tregues ky i rëndësishëm që do ta dëmtojë imazhin e Totajt, përreth të cilit tashmë kanë mbetur vetëm interesgjinjtë. /Gazeta e Prizrenit /
Pavin caffe