19-04-2024

Kapet në pikën kufitare në Morinë, kosovar i kërkohet nga Gjermania për “vjedhje”

Policia Kufitare kap dhe vë në pranga një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Gjermania.

Arrestimi provizor i tij u bë në bashkëpunim me Interpol Tiranën, me qëllim ekstradimin në shtetin gjerman.

 

Në hyrje të pikës së kalimit kufitar të Morinës, shërbimet e policisë kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, bënë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Lexo edhe:

 

Komuna e Prizrenit në vendet e fundit në Kosovë për Kulturë, Rini e Sport

N. B., 35 vjeç, banues në Vinarc, Kosovë.

Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Dortmundit, Gjermani, ka lëshuar ndaj tij urdhër arrestin ndërkombëtar, për veprën penale “Vjedhje”, parashikuar nga Kodi Penal i Gjermanisë.

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin e tij drejt Gjermanisë, mbështetur në Konventën Evropiane të Ekstradimit të vitit 1957. /io

Asnjë koment

Comments are closed.