Kërkohet anulimi i vendimit të Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e RTK-së
Njëri nga të intervistuarit për anëtar të Bordit të RTK-së, Mentor Llagaliu nëpërmjet avokatit Tomë Gashi ka kërkuar nga Komisioni Ad – Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e RTK-së që të anulojë vendimin e marrë pasi që sipas tij, ai është eleminuar nga lista prej 18 kandidatësh për votim në Kuvend edhe pse ka më shumë pikë se 4 kandidatë që tashmë janë rekomanduar nga komisioni për votim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sipas Llugaliut, në kushte normale në asnjë mënyrë nuk iu kishte drejtuar opinionit dhe komisionit në këtë formë, po meqenëse nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Komisioni Ad – Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e RTK-së, atëherë thirrja publike në media i ka mbetur forma e vetme e komunikimit dhe kërkimit të respektimit të drejtave të tij elementare njerëzore e qytetare.
Statusi i plotë i Llugaliut:
THIRRJE PUBLIKE
Sipas konkursit publik për anëtarët e Bordit të RTK-së, unë Mentor Llugaliu jam intervistuar nga Komisioni Ad – Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e RTK-së, i cili komision me vlerëson me 704 pikë.
Nga mediat e kuptoj që unë jam eleminuar nga lista prej 18 kandidatësh për votim në Kuvend edhe pse kam më shumë pikë se 4 kandidatë që tashmë janë rekomanduar nga komisioni për votim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Të premten së bashku me përfaqësuesin tim ligjor Tomë V. Gashi kërkuam nga Komisioni Ad – Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e RTK-së që të anulojë këtë vendim dhe të përmirësoj këtë lëshim (Foto 1 dhe 2).
Përkundër kërkesës sime dhe ankesës në Institucionin e Avokatit të Popullit ndaj Komisionit Ad – Hoc, unë nga ky komision nuk marrë asnjë përgjigje zyrtare. Për më tepër përkundër shumë paknaqësive nga kanale jozyrtare kuptoj që votimi për anëtarët e Bordit të RTK-së ka hyrë në rend dite dhe pritet të bëhet të enjtën si pika e 11 e rendit të ditës në seancën e Kuvendit e Republikës së Kosovës.
Unë jam ekstremisht i habitur me këtë sjellje të anëtarëve të komisionit dhe me ngutinë e tyre për të shtyrë me “urgjencë maksimale” votimin e kandidatëve të rekomanduar pa a e njoftuar zyrtarisht asnjë kandidatë për rezultatet e tyre e aq më pak për ankesat e kërkesat e atyre kandidatëve që mendojnë që të drejtat e tyre janë shkelur. Poashtu jam ekstremisht i habitur se si këto lëshime aq të mëdha të bëhen në emër të institucionit themeltar të demokracisë, Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në kushte normale në asnjë mënyrë nuk iu kisha drejtu opinionit dhe komisionit në këtë formë, po meqenëse nuk kam marrë asnjë pëgjigje nga Komisioni Ad – Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për Bordin e RTK-së, atëherë thirrja publike në media sociale më mbeti forma e vetme e komunikimit dhe kërkimit të respektimit të drejtave të mia elementare njerzore e qytetare.
Andaj thrras publikisht anëtarët e Komisionit: Armend Zemaj, Saranda Bogujevci, Ardian Gola, Fitim Uka, Doarsa R. Kica, Armend Muja, Albana Bytyçi, Duda Balje dhe Mërgim Lushtaku që t’i kryjnë obligimet ligjore që u takojnë dhe të përgjigjen me shkrim në kërkesën dhe ankesën time para seancës ku do të votohen kandidatët për anëtarë Bordi të RTK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ju faleminderit!