Mbështetur në rezultatet e publikuara nga KQZ, nga numërimi i 97 % të votave, apo 214 vendvotimeve, del se numrin më të madh të votave në Prizren e ka marrë Vetëvendosja, por që nuk dallon shumë nga PDK, që është partia e dytë, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Në zgjedhje lokale të 17 tetorit, nuk ka mundur të përcaktohet kryetari i ri i Komunës së Prizrenit, meqenëse asnjë nga kandidatët nuk ka siguruar 50 % të votave, andaj Mytaher Haskuka (VV) e Shaqir Totaj (PDK) do të përballen në balotazh, më 14 nëntor.
Sipas të dhënave të deritashme, VV ka fituar 15,350 vota për Kuvendin Komunal (KK) apo 28.59 %, derisa Partia Demokratike e Kosovës, ka fituar 13,870 vota apo 25. 83 %.
Nga një përllogaritje e votave në bazë të numrit të votuesve dhe të 41 ulëseve sa ka KK, del se aktualisht LVV do të ketë 12, ndërsa PDK 11 kuvendarë, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.
Në Prizren partia turke KDTP ka marrë 2,383 vota, ndërsa 1,785 vota ka marrë koalicioni VAKAT. NDS ka 1,708 vota, SDU 931 vota, YTHP 887 vota, partia NASA 522 vota.
Partia shqiptare Aleanca Kosova e Re – AKR, ka marrë 476, LPRK në 391 vota dhe JGP 250 vota si dhe PREBK me vetëm 121 vota.
Mbështetur në statistikat e publikuara, portali “Gazeta e Prizrenit” ka hartuar përbërjen e përafërt të KK-së, sipas subjekteve pjesëmarrëse.
Rezultati mund të ndryshojë pas numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë, ndërkohë që Nisma ende nuk e ka të sigurt ulësen e tretë, ndërsa NDS boshnjak, mund ta marrë edhe një vend, përcjell GeP.
Ndërkaq, disa parti në Prizren, përfshirë edhe vetë kandidatët që kanë garuar, nëpër rrjete sociale e portale, tashmë kanë publikuar disa emra, të cilët mendohet se janë pjesë e përbërjes së re të Asamblesë Komunale. Prej tyre disa do të jenë femra, përfshirë ato që kanë hyrë direkt me numrin e votave të fituar dhe ato që përcaktohen në bazë të kuotës gjinore, prej 30 %.
KK e Prizrenit në mandatin e kaluar kishte 25 meshkuj dhe 16 femra.
Do theksuar se kësaj radhe për herë të parë në garë kanë qenë edhe dy parti të minoriteteve, (NAŠA) dhe JGP me 250 vota. /GazetaePrizrenit.net