26-04-2024

Këta janë skenarët e mundshëm që Vetëvendosje të krijojë Qeverinë

Me votimin e kryeparlamentarit të ri, gjithçka ka ndryshuar për marrëveshjen Vetëvendosje-LDK.

Në seancën konstituive të së enjtes, kryeparlamentar i ri i Kuvendit të Kosovës u zgjodh Glauk Konjufca nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

E zgjedhja e tij nga njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, po shihet si tejet befasuese dhe prishje e të gjitha matematikave të mundshme se mund të arrihej një marrëveshje në mes të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Ramadani në një prononcim për lajmi.net, ka thënë se momentalisht marrëdhëniet në mes të VV-së dhe LDK-së janë në pikën zero.

“Ngjarja e sotme ka qenë më befasuese deri më tani për shkak që është konsideruar që dy partitë në fjalë e kanë krijuar një frymë të mirë të bashkëpunimit dhe janë duke u afruar në përpjekjet e tyre për me gjet një zgjidhje për situatën e krijuar. Por duket se tash jemi në pikën më të ulët të raporteve mes LDK-së edhe VV-së, për shkak që zgjedhja e Konjufcës si kryetar i kuvendit i prish të gjitha matematikat dhe formulat që deri më tani e kanë dominuar dialogun për atë se si do të duket qeveria VV-LDK. Kështu që tash është shumë e vështirë që të pritet se do të zhvillohet një proces krejt i ri me një konfigurim krejt tjetër”, ka thënë Ramadani për lajmi.net.

Sipas tij, skenari më i mundshëm është shkuarja në zgjedhje ose siç theksoi Ramadani, Vetëvendosje të udhëheq e vetme Qeverinë.

“Besoj që më e mundshme është shkuarja në zgjedhje se sa marrëveshje mes LDK-së dhe VV-së, përveç nëse Vetëvendosje nuk heziton me marrë hap për Qeverinë edhe me llogarit në votat e LDK-së për formimin e saj. Ky është një skenar ende jo i mundshëm por pas veprimit të sotëm gjithçka është e mundur”, theksoi Ramadani.

Asnjë koment

Comments are closed.