25-11-2024

Këto janë veprat për të cilat dyshohen shtatë kosovarët që u arrestuan lidhur me sekuestrimin e 400 kg kokainë

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj shtatë personave, të cilët janë ndaluar dje, lidhur me aksionin ku janë sekuestruar 400 kilogramë narkotikë të llojit kokainë. Ata dyshohen për tri vepra penale.

Specialja e ka bërë kërkesën për paraburgim nën dyshimet se të njejëtit kanë kryer veprat penale: “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit criminal të organizuar”, “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, dhe “Mbajta ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Prokuroria Speciale ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit të shtatë personave Prishtinë, 18 maj 2021 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin se, sot ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për caktimin e paraburgimit të shtatë (7) personave, të cilët janë ndaluar më 17 maj 2021, lidhur me aksionin ku janë sekuestruar 400 kg narkotikë të llojit kokainë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh për ditën e hënë, ka treguar se përveç rreth 400 kg kokainë që janë sekuestruar në Lipjan, dje kanë sekuestruar edhe armë, para, telefona dhe llaptop.

Sipas raportit të Policisë, gjatë kontrollit në lokacione të tjera janë gjetur dhe sekuestruar edhe dy revole një TT dhe tjetra me gas, 50 copë fishekë të cal. 7.62 mm, 25925 € para kesh, 200 denar MK, një veturë, 6 telefona celular, 6 PC, dy llap top, katër DVR dhe një Hard Disc”, ka njoftuar policia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas raportit, i gjithë operacioni është bërë në koordinim me policinë italiane dhe atë shqiptare.

Në një konferencë për media të mbajtur të hënën, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi e ka konfirmuar se të hënën janë sekuestruar rreth 400 kg kokainë me vlerë rreth 20 milion euro, në një operacion ku kanë qenë të përfshirë autoritetet nga Kosova, Shqipëria dhe Italia.

Ndërsa, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti ka thënë se informatat e para i kanë marrë se një kontejner ka ardhur nga Brazili në Itali, me destinacion Kosovën e ku është dyshuar se ka narkotikë.

Ky narkotikë, Mehmeti kishte thënë dje, se ka qenë i mbështjell dhe i kamufluar në disa paketime të ngjashme me mish.

Ai ka treguar ishte vendosur që ky kontejner të përcjellët dhe se gjatë tërë kohës ka qenë nën vëzhgimin e Policisë.

“Ngarkesa përmes territorit të Republikës së Shqipërisë në territorin e Republikës së Kosovës, ka arritur më 15.05.2021 ku është ndaluar në parkingun e një depoje pronë e një kompanie të dyshuar”, kishte thënë Mehmeti.

Mehmeti kishte thënë se të hënën rreth orës 11:00, persona të dyshuar kanë filluar të bëjnë tërheqjen e narkotikëve, për çka tha se kishin vendosur të ndërhyjnë dhe i kanë arrestuar shtatë persona, shtetas të Republikës së Kosovës.

Operacioni, Mehmeti tha se ka qenë i autorizuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndërsa ka përfunduar me shtatë të arrestuar.

Personave të dyshuar, Mehmeti ka treguar se u është caktuar masa e ndalimit ndërsa tha se disa persona të tjerë janë ende në kërkim pasi operacioni është në zhvillim e sipër.

Asnjë koment

Comments are closed.