Gjendja në klubin futbollistik “Liria” të Prizrenit, që ka rënë nga Superliga, përkatësisht mënyra e financimit, ka qenë temë diskutimi në mes të shefave të grupeve të kuvendarëve të Prizrenit, në takimin e mbajtur me kryetarin e Komunës, Mytaher Haskuka, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Kuvendi Komunal (KK) në mbledhjen e jashtëzakonshme kushtuar “Lirisë”, në qershor pat propozuar që vendimi për pezullimin e financimit të votohet në mbledhjen e ardhshme të këtij organi, dhe deri atëherë, të hartohet një vendim i ri, që do ta qartësonte mënyrën e financimit të klubit nga ana e Komunës.
Anëtari i KK-së nga radhët e AAK-së, Ilir Baldedaj, me nismën e të cilit u mbajt seanca e jashtëzakonshme për “Lirinë”, ka thënë se ka një dakordim që ky komision të përkujdeset më tej rreth ecurisë së “Lirisë” edhe ndryshimeve të statusit.
Artan Abrashi, kryesuesi i KK-së, ndërkaq thotë se ka një propozim për komision, por është pak e paqartë, meqë ka edhe pretendime se “Liria” nuk është klub publik, por OJQ joprofitabile.
“Kjo do të diskutohet më hollësisht në Komitetin për Politikë e Financa (KPF) të KK-së që mbahet më 16 korrik”, konfirmoi për portalin “Gazeta e Prizrenit” ai.
KK do të mbajë mbledhjen e radhës më 18 korrik. Njëra ndër pikat e parapara është edhe Formimi i Komisionit mbikëqyrës për KF Liria.
Në këtë kontekst do të shikohet edhe vendimi për “Politikat zhvillimore për kulturë, rini dhe sport”. Pritet që një komision i përbërë nga shefat e grupeve, të cilat janë pjesë e Asamblesë komunale, kryetarit të Komunës, kryesuesit të KK-së ta sjellin një vendim dhe një rregullore të re për ndryshimin e qasjes së financimit të të gjitha shkollave të futbollit edhe sporteve të tjera. /GazetaePrizrenit.net/