02-05-2024

Komuna dhe Prokuroria në Prizren me akuza të ndërsjella për zbatim selektiv të ligjit

Përplasjet ndërmjet drejtuesve të Komunës së Prizrenit dhe të Prokurorisë Themelore në Prizren nuk kanë marrë fund. Ata kanë akuzuar njëri-tjetrin për zbatim selektiv të ligjit.

Përderisa kreu i qeverisë komunale javë më parë ka akuzuar kryeprokurorin e Prizrenit për mbrojtje të ndërtuesve pa leje, ky i fundit rishtazi ka shprehur qëndrimin se kryetari i Komunës aplikon standarde të dyfishta, pasi për hapjen e një qendre tregtare ka insistuar që të ketë pranim teknik, teksa për një qendër tjetër tregtare nuk ka treguar përkushtimin e njëjtë sa i përket pranimit teknik, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, të martën ka përkujtuar se kryetari i Komunës në tetor të vitit 2018 pati shprehur publikisht qëndrimin se tek investimet në ndërtimtari njëra ndër pikat kryesore është pranimi teknik (certifikata e përdorimit).

“Por ky qëndrim nuk është zbatuar edhe në rastin e hapjes së një qendre të re tregtare në Prizren, që është hapur pa pranim teknik, madje me pjesëmarrjen e kryetarit të Komunës. Kjo tregon se Komuna nuk po vepron njëjtë, porse po aplikon standarde të dyfishta”, ka thënë Shala. Ai ka theksuar se të gjithë qytetarët duhet të kenë trajtim të barabartë nga institucionet shtetërore dhe ato të drejtësisë.(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Asnjë koment

Comments are closed.