03-10-2024

Komuna e Prizrenit del keq për përformacën rreth parkingjeve publike ( Dokument )

Në Prizren, sidomos në qendër dhe në zonën e parë të qytetit është shumë vështirë të gjesh një vendparkim,  derisa verës në parkingjet private,  mund të jetë më i kushtueshëm qëndrimi i veturës, se sa i shoferit për një kafe apo pije, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Mungesa e parkingjeve konstatohet edhe në raportin për performancë të Komunave të Kosovës, për këtë fushë gjatë vitit 2022, publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Kësisoj, Komuna e Prizrenit ka dalë shumë keq në nivel të Kosovës sa i përket performancës për vendparkingje publike. Nga 31 Komuna, Prizreni është radhitur në vendin e 26-të.

Ndonëse, kaluan më shumë se dy vjet nga ardhja në pushtet,  kryetari i Komunës,  Shaqir Totaj,  nuk e ka përmbushur premtimin për shtimin e parkingjeve publike.

Nga 31 Komunat në të cilat janë bërë matjet, Prizreni radhitet në vendin e 26-të me vetëm 29.58 %.

Para Prizrenit janë të gjitha komunat e mëdha, përfshirë edhe Prishtinën. Sa i përket komunave të rajonit tonë, Suhareka është në top 5-shen e parë të listës, derisa më keq se Prizreni qëndrojnë Dragashi e Mamushës, që rangohen në vedin 29 e 30-të.

Në raportin e MAPL-së, Fusha 11 ka të bëjë me Parkingjet Publike Hapësirat për parkim publik janë vende në pronësi publike dhe private, me një numër të caktuar të vendeve të parkimit, të ndërtuara me standardet e kërkuara dhe të caktuara për parkimin e mjeteve motorike. Për më tepër, kjo fushë matë numrin e parkingjeve në komunë dhe numrin e vend parkimeve kundrejt veturave të regjistruara në komunë, po ashtu sa ka vende për taksi kundrejt numrit të taksive të licencuara dhe sa parkingje publike kanë vende të rezervuara për persona me nevoja të veçanta. Performanca në nivel të fushës është 47.35%.

Përpos kësaj Komuna e Prizrenit ka dalë shumë keq edhe sa i përket performancës në Kulturë, Rini dhe Sport, ku në nivel të Kosovës është radhitur në vendin e 30-të apo të parafundit. /GazetaePrizrenit.net

Lexo edhe:

Komuna e Prizrenit “në fund t’pusit” për performancë në Kulturë, Rini dhe Sport ( Dokument )

 

Asnjë koment

Comments are closed.