13-06-2021

Komuna e Prizrenit ende nuk e ka dërguar propozim-buxhetin 2021-2023

Kuvendi i Komunës së Prizrenit nuk e ka miratuar ende buxhetin për vitin 2021, anipse me legjislacionin në fuqi afati i përcaktuar për këtë vendimmarrje është 30 shtatori.

Në seancën e mbajtur gjatë javës së shkuar shumica e kuvendarëve kanë votuar kundër aprovimit të propozim-buxhetit për vitin 2021, me arsyetimin se bëhet fjalë për buxhet dedikuar asfaltit e për efekte elektorale, raporton KOHA.

Lexo.edhe:

Pas 16 muajsh, Komuna e Prizrenit nënshkruan tenderin për riparimin e Urës së Marashit

Të mërkurën, Ministria e Financave ka dërguar një shkresë njoftuese në adresë të udhëheqësve komunalë lidhur me mosdorëzimin e buxhetit për vitin 2021-2023 në MF, sipas kalendarit buxhetor të përcaktuar në ligj.

Kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Sulltan Badallaj, ka pohuar se propozim-buxheti nuk është miratuar pasi kërkesat e këshilltarëve të KK-së nuk janë përfshirë në planifikim.
Ai ka konfirmuar pranimin e shkresës nga MF-ja dhe ka shtuar se ligji mundëson miratimin e buxhetit edhe pas 30 shtatorit.

Ndërsa Naim Cahani nga KDI-ja ka theksuar se raste të ngjashme të mosmiratimit me kohë të buxhetit kanë ndodhur edhe në të kaluarën, porse ato komuna kanë reaguar shpejt për aprovim brenda pak javësh.

Në shkresën e MF-së theksohet se në qoftë se Komuna nuk e dorëzon buxhetin e propozuar dhe kërkesën për ndarje të mjeteve buxhetore që janë në pajtim me kërkesat e procesit buxhetor 2021-2023, atëherë do të zbatohen dispozitat e nenit 62 të Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë./KOHA/

Asnjë koment

Comments are closed.