25-11-2024

Komuna e Prizrenit ndal punimet në monumentin nën mbrojtje, s’kishte marrë leje nga organet e trashëgimisë

Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik të Komunës së Prizrenit kishte filluar punime në shtëpinë e “Musa Shehzadës” në Prizren e cila është nën mbrojtje institucionale.Por, këto punime u detyruan t’i ndalin pasi Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka njoftuar Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit dhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore të MKRS, se punimet janë duke u zhvilluar pa pëlqimin e institucioneve kompetente të trashëgimisë.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha tha për KALLXO.com se pas daljes në vend të ngjarjes dhe konstatimit të gjendjes është ëlshuar vendimi për ndalimin e menjhershëm të punimeve.Sipas Hoxhës, Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik të Komunës së Prizrenit, pas marrjes së këtij vendimi të ITK-së, disa ditë më vonë ka parashtruar kërkesë për riparimin e pjesshëm të Shtëpisë së Musa Shehzades.

“Edhe përkundër faktit që Drejtoria e Turizmit dhe Komuna e Prizrenit do të duhej që të ishin shembull më i mirë se si duhet ruajtur, mbrojtur dhe promovuar trashëgimia e pasur kulturore që ka komuna jonë, fatkeqësisht një gjë e tillë nuk po ndodh”, tha ai.

Hoxha tha se shkelje të tilla ligjore nga Komuna e Prizrenit duhet të marrin fund një herë e përgjithmonë, pasi që përmes këtyre veprimeve përveç se krijohet një precedent negativ, ato mund të shkaktojnë edhe dëmtime të pariparueshme në monumentet e trashëgimisë kulturore të qytetit. Sipas tij, kërkesa e Drejtorisë së Turizmit është në proces të vlerësimit nga ana e Komisionit për vlerësimin e Projekteve restauruese – konservuese, pranë QRTK-së në Prizren, ku pas rekomandimit të këtij komisioni do t`i kthehet përgjigje palës kërkuese në afatet e parapara ligjore.
Organizata për qytetari aktive në fushën e kulturës “EC Ma Ndryshe” ka thënë se praktika e ndërhyrjes në aset të trashëgimisë kulturore pa pëlqimin e autoriteteve duhet të marrë fund.

Lexo edhe:

Has: Rikthimi i fëmijëve në shkollë pas lufte dhe rrëfimi i tmerrit nga forcat serbe në Lugishtë: (Video-Dok)

“Bazuar në të dhënat e mësipërme, EC Ma Ndryshe i bën thirrje Komunës së Prizrenit që t’i jap fund praktikës së ndërhyrjes në asetin e trashëgimisë kulturore pa pëlqimin e autoriteteve të trashëgimisë kulturore, pasi ndërhyrja e tillë është e kundërligjshme”, thuhet në reagimin e organizatës në Facebook.

Sipas “EC Ma Ndryshe” më datë 18 nëntor 2020 nga Komuna e Prizrenit ka kërkuar qasje në dokumente publike lidhur me projektin e ndërhyrjes në Shtëpinë e Musa Shehzades, por deri me sot nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.Ndërsa, drejtoreshë e Turizmit në Komunë e Prizrenit, Sevil Kazazi, ka thënë për Kallxo.com se Intervenimet kanë filluar në një procedurë urgjente për arsye se eksponatet ishin në rrezikshmëri për prishjen e tyre nga lagështia, dhe intervenimi në kulm ka qenë e nevojshme të bëhet me urgjencë për arsye të ruajtjes së eksponateve.

“Ju njoftojmë që për projektin tek muzeu i Etnologjisë – Shtëpinë e Musa Shehzades, pëlqimi nga ana e QRTK, është procesuar- kërkesa dhe jemi në pritje të përgjigjes. Intervenimet kanë filluar në një procedurë urgjente për arsye se eksponatet ishin në rrezikshmëri për prishjen e tyre nga lagështia, dhe intervenimi në kulm ka qenë e nevojshme të bëhet me urgjencë për arsye të ruajtjes së eksponateve.

Do të vazhdohet intervenimi pas marrjes së përgjigjes nga QRTK, sepse tanimë punimet janë ndërprerë. Në këtë aset kanë filluar të bëhen intervenimi vetëm në kulm”, ka thënë drejtoresha Sevil Kazazi.

Asnjë koment

Comments are closed.