26-04-2024

Komuna e Prizrenit shpërbleu me tender kompaninë që ka borxhe ndaj shtetit

Auditori i Përgjithshëm i Kosovës ka gjetur dhjetëra shkelje procedurale dhe ligjore në Komunën e Prizrenit, e cila udhëhiqet nga Mytaher Haskuka i Lëvizjes Vetëvendosje.

Zyra Kombëtare e Auditorit, raportet e së cilës u përdorën si pretekst i ish-qeverisë Kurti për shkarkimin e bordeve të ndërmarrjeve publike, ka hedhur dritë mbi parregullësi e keqpërdorime të dyshuara në një komunë të udhëhequr pikërisht nga partia e Albin Kurtit.

Sipas të gjeturave të Auditorit Gjeneral në raportin e auditimit të Komunës së Prizrenit për vitin 2019, komuna e udhëhequr nga Mytaher Haskuka ka kryer në mënyrë të dyshimtë disa procese të prokurimit.

Hallakamë në arsimin e Prizrenit, drejtori i shfmu në Arbanë e bën “përrallë” drejtoreshën e Arsimit, Vezhgishi

Kompania “Logistics Plus” L.L.C me bazë në Prishtinë, në maj të vitit të kaluar fitoi tenderin për “Furnizim me GPS për veturat zyrtare të Komunës së Prizrenit” në vlerë prej mbi 8 mijë eurove.

“Vërtetimi tatimor me nr. 1000588350 i dt.13.05.2019 tregonte që operatori ekonomik i shpërblyer me  kontratë, kishte borxhe tatimore të pashlyera. Kontrata është nënshkruar më dt. 28.05.2019 në vlerë 8,136€”, thuhet në raportin e auditimit për Komunën e Prizrenit.

 Përzgjedhja e një kompania të papërgjegjshme për kontratë publike krijon rreziqe në realizimin e kontratës, thotë Auditori.

“Shpërblimi me kontratë i OE të papërgjegjshme rrit rrezikun që operatori të përballet me vështirësi financiar për pagesën e borxheve që ka ndaj shtetit dhe kontrata të mos realizohet apo AK të dështoj për të marr shërbimin apo pranuar mallin me kohë sipas planifikimit”, pohon raporti.

Por, shkelje qeverisjen lokale të Prizrenit nuk pati vetëm në procedurat tenderuese.

Auditori Gjeneral ka gjetur se gjatë vitit të kaluar kryetari Haskuka ka punësuar njerëz në komunë “pa procedura të thjeshtësuara të rekrutimit”, duke u bazuar në “Marrëveshjet për Shërbime të Veçanta”.

“Në vitin 2019 komuna ka pranuar 41 punonjës me MSHV. Për 11 raste (të punësuar në njësi të ndryshme), komuna nuk kishte zhvilluar procedura të thjeshtësuar të rekrutimit, prej tyre gjashtë 14 ishin rekrutuar sipas LSHC në vitin 2018 (për gjashtë muaj) duke iu vazhduar kontrata në vitin 2019 edhe për gjashtë muaj tjerë”, thekson Zyra Kombëtare e Auditimit.

Caktohet mbledhja për gjendjen në arsim, Kuvendi i Prizrenit mblidhet të hënën

Bazuar në interpretimin e zyrës ligjore komunale, Haskuka është arsyetuar të ketë marrë këto vendime për vazhdimin e këtyre kontratave në heshtje “për shkak të ndjeshmërisë së disa punëve të cilat nuk ishin përfunduar”.

Tutje, Auditori thotë se angazhimet e tilla të punonjësve në komunë rezultojnë me parregullsi ligjore dhe mungesë të monitorimit.

Shefi i Mytaher Haskukës në parti, Albin Kurti, jo rrallë herë i ka përmendur raportet e auditimit si referencë për të identifikuar parregullësitë në udhëheqje të institucioneve publike.

Për katër muaj sa udhëhoqi me Qeverinë e Kosovës, ish-kryeministri Kurti shkarkoi bordet e shumicës së ndërmarrjeve publike. Shumica e arsyetimeve për shkarkimin e bordeve kishin si burim raportet e Zyrës Kombëtare të Auditimit. /Insajderi.org

Asnjë koment

Comments are closed.