Komuna përgënjeshtron lajmin për bërllogun në ditën e Bajramit në Prizren
Komuna e Prizrenit, ka reaguar ndaj lajmit që është publikuar në media lidhur me mos largimin e bërllogut ditën e Bajramit.
Në reagimin, përmes faqes së saj zyrtare, mes tjerash thuhet se lajmi nuk paraqet aktualitetin, pasi që gjendja në terren flet ndryshe.
Sqarim për opinionin:
“Në RTK dhe më pas në disa portale të ndryshme sot është publikuar një lajm i titulluar “HASKUKA NUK E HEQ BËRLLOGUN AS PËR BAJRAM”.
Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve, pas publikimit të këtij lajmi, Drejtori i Shërbimeve Publike, Levent Kasemi ka dalur në terren dhe e ka verifikuar që lajmi nuk paraqet aktualitetin, pasi që gjendja në terren flet ndryshe, ashtu siç mund të shihet edhe në fotografinë e postuar.
Me këtë shihet se portali në fjalë, ka përdorur një fotografi të vjetër dhe ka keqpërdorur mediumin publik duke e dezinformuar opinonin dhe se lajmi duket të jetë tendencioz ndaj punës së qeverisjes së tanishme të Komunës së Prizrenit dhe kryetarit Haskuka.
Komuna e Prizrenit u bën thirrje të gjitha mediumeve që para publikimit të lajmeve të tilla, së pari t’i verifikojnë ato dhe për çdo informatë të kontaktojnë zyrën e informimit në Komunën e Prizrenit dhe mos të bien ndesh me rregullat e gazetarisë nga gazetarë të tillë të papërgjegjshëm”, thuhet në sqarimin e komunës.