Komunat e rajonit të Prizrenit ofrojnë parkingun në dispozicion të bashkatdhetarëve
Periudha nga 15 korriku e tutje, shënon fluksin më të madh të kthimit të bashkatdhetarëve në vendlindje.
Sikur edhe në pjesën tjetër të vendit, edhe në rajonin e Prizrenit, korriku dhe gushti janë muajt që sjellin për pushime bashkatdhetarët. Ata janë të mirëpritur, ndërsa edhe jeta, përfshirë edhe atë të natës intensifikohet më tepër.
Gjatë kësaj periudhe, shtohet edhe organizimi i ceremonive familjare të gëzimit, ndërsa Prizrenit është nikoqir edhe i shumë mysafirëve, që vijnë për të blerë tekstil, stoli ari, dhe veshje tradicionale të punuara në këtë pjesë, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.
Për shkak të frekuentimit të madh, kjo fazë shënon edhe shtimin e lëvizjes në trafik, që ndonjëherë përcillen edhe me vonesa nëpër rrugë. Problem po ashtu paraqet edhe mungesa e vendparkingjeve
Prizreni vitin e kaluar e ka bërë një lloj zgjidhje, duke hapur në qendër vendparkimin, deri tash më të madh publik dhe pa pagesë, që ka vende për mbi 100 vetura, apo afër zonës tregtare “Qylhan”.
Veprime të ngjashme për t’ua hequr dilemën e parkimit të veturave, që shpesh është njëra nga brengat kryesore për bashkatdhetarët po përpiqen të bëjnë edhe komunat tjera përreth.
Komuna e Suharekës nga sot e ka parkingun në dispozicion për bashkatdhetarët. Përmes një postimi, njoftohet se kështu do të jetë deri më 16.08.2019, kur parkingu në oborrin e objektit të Komunës së Suharekës, është i hapur për mërgimtarët.
Për qasje të krijuar qasje sa më të lehtë për mërgimtarët, ngjashëm ka vepruar edhe Komuna e Rahovecit dhe ajo e Malishevës.
Në kontekstin e kryerjes së shërbimeve sa më të shpejta administrative, janë zgjatur edhe oraret e punës në sektorin e gjendjes civile.
Mirësevini e pushime të këndshme në vendlindjen tuaj! /GazetaePrizrenit.net/