Komunitetet romë, ashkali dhe egjiptianë kanë shkallën më të lartë të papunësisë në Prizren, ngjashëm sikur që është situata në nivel vendi, kanë vlerësuar aktivistët e OJQ-së “Nevo Koncepti”.
Ata, të hënën, kanë prezantuar rezultatet e analizës së gjendjes aktuale të punëtorëve të komuniteteve RAE në Komunën e Prizrenit, me ç’rast kanë konstatuar se gjendja është e rëndë në këtë drejtim dhe kanë kërkuar nga institucionet dhe sektorët e tjerë që të punojnë për ndryshimin e realitetit aktual, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Gjendja e tashme sa i përket punësimit të komuniteteve RAE është e rëndë, prandaj u bëjmë thirrje institucioneve, sindikatave të pavarura po ashtu edhe sektorit privat që të angazhohen për krijimin e një hapësire më premtuese dhe një fryme jodiskriminuese në proceset e punësimit”, ka thënë Tringa Kasëmi, menaxhere e projektit në OJQ “Nevo Koncepti”.
Ndërsa drejtori i kësaj organizate, Osman Osmani, ka bërë të ditur se informatat zyrtare tregojnë se çështja e punësimit është sfiduese për të gjitha komunitetet në Prizren, pasi që shkalla e papunësisë është e lartë. “Por pozita e komuniteteve RAE në këtë aspekt është më e vështirë”, është shprehur ai gjatë një konference shtyp.