18-04-2024

Historiani Muhadri:  Statuti kryeqytet historik ia jep mundësinë Prizrenit që t’i rihap konsullatat

Njohja e Prizrenit si kryeqytet historik, në kuadër të Ligjit për kryeqytetin e Republikës së Kosovës-Prishtinën, për profesorin e historisë dhe autorin e librit “Prizreni në rrjedhat historike shek. XI-XV” Bedri Muhadrin është një mundësi e mirë, që ky qytet t’i rihap konsullatat evropiane të cilat kanë vepruar në Prizren, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Ai vlerëson se miratimi i ligjit për të shpallur qytet historik, qytetin e Prizrenit, është vlerësim i drejtë politik e historik, pasi me këtë statut qytetit i rikthehet pozita më e përshtatshme gjeografike për ndërtim të objektivave gjithë kombëtare shqiptare kudo në botë.

Profesor i Asociuar, Muhadri  thotë se Prizreni është qytet multietnik, me trashëgimi të ndërtuar më shekuj, duke u bërë qytet me kuptim të kultivimit të vlerave etnike. “Pra qyteti ka trashëgimi të pasur historike që të shpallet qytet historik”, ka thënë ai.

Duke ju referuar të dhënave, Muhadri, ka thënë se shënimet historike për qytetin e Prizrenit datojnë që nga viti 1020, në dokumentin e Perandorit Bizantin Bazilli II, ku Prizreni është qendër e ipeshkvisë në kuadër të Argjipeshkvisë së Ohrit. Po ashtu në vitin 1332, Qyteti i Prizrenit është qendër e Konsulatës së Dubrovnikut. Në shek. XIV dhe XV, Prizreni është i rëndësishëm për Principatën e Balshajve, Dukagjinaseve, të cilët e administronin qytetin. Po ashtu edhe për Kastriotët dhe Skënderbeun, Prizreni është qendër e rëndësisë së veçantë.

“Në periudhën e Perandorisë Osmane në qytet u ndërtuan monumente të shumta kulturore dhe pati ngritje ekonomike qyteti. Në kohën e përpjekjeve mbarëshqiptare për autonomi dhe bashkim të vilajateve shqiptare, si dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar qyteti i Prizrenit u bë qendra e çështjes kombëtare”, tha ai.

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.