28-04-2024

Konfiskohen dy veturat luksoze që u blenë nga paratë e Thesarit të Shtetit

Me dënimin e dy të akuzuarve për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, janë konfiskuar pesë vetura të cilat ishin blerë me paratë e vjedhura.

Gjykata ka thënë sot se janë konfiskuar tri vetura Audi dhe “Taureg”.

Në mesin e veturave të konfiskuara, janë edhe dy Audi A5, të blera me paratë e rrjedhura nga vjedhja e Thesarit të Shtetit, asokohe në duart e afaristit nga Suhareka, Blerim Gashi.

Në biznesin të cilën ai e drejton bashkë me familjarët e tij, “Gashi Komerc” Sh.P.K., Blerim Gashit i ishin transferuar 300 mijë euro nga kompania “LDA Group”, e cila paraprakisht kishte pranuar transaksionin direkt të 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Tri ditë pas avullimit të mjeteve të Thesarit, përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, Gashi kishte njoftuar në rrjetet sociale për blerjen e dy veturave të reja të tipit Audi A5. Ishin paguar me mjetet që kishte pranuar nga “LDA Group”.

“I gzofshi kerret Rilind dhe Armir”, kishte shkruar Blerim Gashi.

Afaristi Gashi i ka thënë Paparacit se 300 mijë eurot që ishin derdhur nga xhirollogaritë e kompanisë “LDA Group” të Kadri Shalës, ishin mjete të një borxhi që “LDA Group” kishte ndaj firmës së tij.

“Na janë konfiskuar dy vetura padrejtësisht, sepse ne nuk kemi vjedhur asgjë. Neve na kanë pasur borxh paratë kompania LDA Group dhe s’kemi lidhje asgjë me paratë e Thesarit”, kishte thënë Gashi për Paparacin para disa muajsh.

Labinot Gruda u shpall fajtor dhe u dënua me 11 vjet burgim për vjedhjen nga Thesari i Shtetit, ndërkaq i akuzuari tjetër, Kadri Shala, u dënua me 10 vite burgim./Paparaci

Asnjë koment

Comments are closed.